Kostot e ndërtimit e kanë mbyllur me rritje vitin 2021, tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Indeksi i kushtimit në ndërtim në tremujorin e katërt të vitit 2021 arriti në 103,1 kundrejt tremujorit të katërt 2020, si periudha bazë. Të dhënat e “Institutit të Statitikave”, mbi “Indeksin e kushtimit në ndërtim për banesa”, tregojnë së kostot e ndërtimit janë rritur me 3.1% krahasuar me vitin 2020 dhe me 1% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021.
Nëse do të flasim për ndryshimet vjetore të grupeve kryesore, krahasuar me të njejtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e kostove në ndërtim erdhi si pasojë e rrijes së kostove në grupin “Shpenzime Transporti” me 4,5%, pasuar nga grupet “Shpenzime materiale” me 4,1%, “Kosto të tjera” me 3,1%, “Shpenzime për paga” me 2,9%, “Shpenzime energjie” me 1,5% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,6%. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënuan rritjen më të lartë me 4,1% secili, pasuar nga grupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 3,6%.
Nga ana tjetër, po të flasim për ndryshimet tremujore të grupeve kryesore, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 1,6%, pasuar nga grupet “Shpenzime materiale” me 1,3%, “Kosto të tjera” me 1,0% “Shpenzime për paga” me 0,9% dhe “Shpenzime energjie” me 0,1%. Ndërsa, ulje ka shënuar grupi “Shpenzime makinerie” me 0,2%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments