Muaji mars i vitit 2021 duket se është një moment interesant sa i takon Tregtisë së Jashtme të mallrave. Gjatë këtij muaji, sipas të dhënave të Institutit te Statistikave, eksportet e mallrave kanë arritur vlerën e 32 mld lekëve, një rritje kështu 78.1% krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë, ku duhet marrë parasysh se ishte koha kur u përballëm me izolimin si pasojë e pandemisë. “Scan Intelligence Unit” hulumtoi të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme të mallrave sipas kapitujve që nga janari i vitit 2005 dhe mes të dhënave dalin në pah fakte interesante sa i përket eksportit dhe importit të mallrave gjatë muajit mars të këtij viti.
Importi i produkteve farmaceutike gjatë muajit mars të vitit 2021 ka prekur një rekord të ri historik. Të dhënat tregojnë se që nga viti 2005, muaji që regjistron vlerën më të lartë të importit të produkteve farmaceutike është muaji mars, me një vlerë prej 3.4 mld lekë, ose rreth 28 milionë euro. Muaji Shkurt i këtij viti dhe muaji dhjetor i viti 2020 po ashtu janë afër këtij rekordi historik. Kjo tendencë duket se është rrjedhojë e vaksinimit masiv që ka nisur në vendin tonë gjatë marsit dhe ardhjes së qindar mijrave dozave. Krahasuar me muajin mars të një viti më parë, vlera e produkteve farmaceutike të i,portuara ëshët rritur me 64.8%. Vaksinat e importuara regjistrohen si produkt importi, por nuk taksohen. Në vlerë absolute bëhet fjalë për rreth 1.36 mld lekë më shumë se një vit më parë, ose rreth 11 milionë euro.
Ndërkohë, edhe eksporti i peshkut dhe i kafshëve guackore ka kapur record historik gjatë muajit mars të vitit 2021. Vlera e eksportit arrin në 691 mln lekë. Nga të dhënat e nxjerra, muaji tetor i vitit 2020 është ai që ndjek muajin mars në këtë rekord historik. Po ashtu mes vendeve të para regjistrohet edh emuaji janar i vitit 2021 me një vlerë të eksporit të peshkut deri në 584 mln lekë.
Publikimi i fundit i Institutit të Statistikave tregon se gjatë muajit Mars 2021, rritja e eksporteve prej 78,1%, është ndikuar nga grupet:“Minerale, lëndëdjegëse dhe energji elektrike”. Nga të dhënat e përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” rezultoi se për këtë kategori, muaji mars i vitit 2021 ka prekur po ashtu rekord historik që nga viti 2015 me një vlerë prej 5 mld lekësh.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments