3,882 është numri i tatimpaguesve të identifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që kanë deklaruar nivele mininimale page duke përdorur kështu dy listëpagesa (një reale dhe një fiktive) për 62,905 punonjësit e tyre për periudhën Dhjetor 2021. Në “filtrin” e Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut, referuar raportit vjetor të publikuar së fundmi nga ky institucion, kanë kaluar fillimisht 10,154 tatimpagues dhe 95,214 punonjës që nuk kishin përmbushur detyrimet në deklarimet e pagave përkundrejt organeve tatimore. Kështu, ndër sektorët me nivelin më të lartë të informalitetit në vend ose “sektorët gri” bazuar në të dhënat e të njëjtit raport rezultojnë: Sektori i shërbimit të ushqimit dhe pijeve me 526 tatimpagues; Sektori i Tregtisë me shumicë me 439 tatimpagues; Sektori i Tregtisë me pakicë me 316 tatimpagues; Sektori i Ndertimit me 249 tatimpagues; Sektori i prodhimit të produkteve ushqimore me 208 tatimpagues; Sektori i veprimtarive të ndërtimit me 198; Sektori i transportit tokësor dhe transportit nëpërmjet tubacioneve me 186 tatimpagues; Sektorin i Akomodimit me 126 tatimpagues dhe 1634 tatimpagues të tjerë të konsideruar si informalë. Pavarësisht se numri i bizneseve të analizuara sa më sipër duket i ulët, krahasuar me 110,000 ndërrmarrje aktive, gjthsesi shërben si kampion përfaqësues duke na dhënë një qasje të sektorëve me informalitet të lartë sa i përket pagave, në Shqipëri.
Po cilat janë disa nga kriteret që bëjnë një biznes të konsiderohet si “problematik”? Kështu, nësë jeni tatimpagues dhe keni mbi 5 punonjës me të ardhura deri në nivelin e pagës minimale apo keni punonjës që i përkasin kategorisë “I dypunësuar” por që figurojnë vetëm në një listëpagesë, jeni tatimpagues që ka mbi 20% te punonjësve me raport leje barrëlindje ose raport mjekësor të cilët marrin përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore pas ditës së 14, por nuk i kanë shkëputur marrëdheniet e punës me subjektin përkatës, apo tatimpagues me formë ligjore “Person fizik” por që deklaron më shumë se një punonjës si të “I vetëpunësuar”, jeni tatimpagues që ndryshoni deklaratat (listëpagesat) me rënie 20%-100% nga detyrimet fillestare, subjekt që deklaroni numer të larte punonjesish dhe xhiro të ulet, subjekt që deklaroni numer të ulët punonjesish dhe xhiro të ulët apo subjekt që deklaroni rënie të xhiros pas monitorimit nga Drejtoria e Tatimeve, atëherë gjasat janë që të jeni nën “shënjestrën” e tatimeve. Bazuar po në legjislacionin tatimor, të gjithë tatimpaguesit që nuk paguajnë detyrimet tatimore në datën e caktuar konsiderohen subjekte të borxhit tatimor.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments