Ekonomi

Plazhi, ku janë çmimet më të shtrenjta? Shifrat e “Airbnb” dhe bilancet rrëzojnë “mitin e jugut”, në veri, resortet fitojnë më shumë

0

Çdo prag sezoni turistik, por edhe në vijim të tij, rrjetet sociale “dynden” me fotografi faturash të “kripura” nga bregdeti shqiptar, ndërkohë që çështje të tilla kthehen në diskutime të gjata tavolinash. Por, sa e shtrenjtë është Shqipëria? A ka diferenca mes rajoneve të ndryshme të bregdetit shqiptar sa i përket çmimeve të akomodimit, restoranteve, bareve? A është jugu realisht më i shtrenjtë? Këtyre pyetjeve do mundohemi t`i japim përgjigje, bazuar në një vrojtim, monitorim dhe kryqëzim të shifrave dhe disa fakteve.

Këtë hulumtim do ta nisim fillimisht me kostot e akomodimit. Bazuar në një kërkim në platformën “Airbnb” , mbi 7 lokacione të ndryshme bregdetare në vendin tonë, rezulton se Velipoja është më e shtrenjta. Kërkimi është bërë i njëjtë për të gjitha lokacionet, për një dhomë me 2 persona për datën 15 korrik. Të listuara në “Airbnb” nuk janë vetëm apartamentet por edhe dhoma të ndryshme hotelesh në të gjithë Shqipërinë. Kështu, nga ky kërkim rezulton se, mesatarja e çmimit për një natë qëndrimi për 2 persona në datën 15 korrik në Velipojë fiksohet në $74. Në vend të dytë me çmimin më të lartë ndjek Dhërmiu, me $73, Saranda me $70 dhe Shëngjini me një çmim mesatar qëndrimi në natë prej $69. Vlora dhe Himara ndërkohë ofrojnë një çmim mesatar prej rreth $67 në natë, dhe në fund të renditjes gjejmë Golemin me $60 nata. Theksojmë se këto shifra i referohen vetëm atyre të platformës “Airbnb” dhe një mesatareje mes të gjitha akomodimeve të listuara.

Nga këto shifra kuptojmë se diferencat mes rajoneve të ndryshme bregdetare të Shqipërisë janë të vogla sa i përket akomodimit. Por, a është jugu më i shtrenjtë? Të dhënat sinjalizojnë se çmimet e akomodimit në jugun e vendit, pra Vlorë, Dhërmi, Sarandë janë mesatarisht vetëm 1 dollarë më të larta se pjesa tjetër, ku përfshihen Shëngjini, Velipoja dhe Golemi, përafërsisht $69 kundrejt $68.

Në vazhdim të vrojtimit tonë në lidhje me çmimet në bregdetin shqiptar dhe diferencat mes rajoneve, kemi marrë në analizë 6 resorte të ngjashme dhe prestigjioze në 3 rajone të ndryshme: Veri, Qendër, Jug. Duke qenë se analiza jonë nuk është e fokusuar te emrat e përveçëm dhe ecuria e sektorit, këtyre 6 resorteve nuk do t`i referohemi me emër. Nga analiza e bilanceve të depozituara në qendrën kombëtare të biznesit, me të dhënat më të fundit që i referohen vitit 2020, kuptojmë se resortet e pozicionuara në lokacionet bregdetare të rajonit të veriut regjistrojnë përqindje marxhinale fitimi më të larta se dy rajonet e tjera, pra qendra dhe jugu. Fitimi marxhinal mesatar në dy resortet e zgjedhura në veri të vendit fiksohet pranë 9%. Në jug, kjo normë, për dy ndër resortet më prestigjioze të rajonit, zbret pranë 5.5%. Në qendër ndërkohë, ku përfshihet Durrësi dhe Golemi, norma mesatare zbret pranë 4%. Por, këto të dhëna i referohen vitit të pandemisë, 2020-ës, ndërkohë që për të pasur një ide më të qartë kemi marrë në analizë edhe vitin 2019, përpara krizës. Për këtë periudhë vëmë re se veriu me qendrën janë në krye, me një mesatare të normës së fitimit marxhinal prej 18%. Për dy resortet e jugut ndërkohë, kjo normë zbret në vetëm 6.5%. Edhe sa i përket fitimeve neto gjatë vitit 2020, por edhe 2019, shifrat sinjalizojnë se, resortet turistike në veri të vendit regjistrojnë shifra ndjeshëm më të larta se dy rajonet e tjera. Për njërin prej tyre në, norma e fitimit marxhinal fiksohet në 33% për vitin 2019. Padiskutim që një kampionim prej dy resortesh në secilin prej 3 lokacioneve nuk është përfaqësues, por duke qenë se në analizë janë marrë disa prej resorteve më të mëdha në secilën zonë (referuar edhe vlerësimit sipas “Tripadvisor”, këto shifra japin një panoramë të përafërt.

Por, si shpjegohet fakti që jugu nuk qëndron në krye të klasifikimit sa i përket fitimeve, duke pasur parasysh edhe perceptimin publik? Aktorë të tregut për “Scan Intel” shprehen se janë disa arsye të cilat shpjegojnë fitimet e ulta por edhe cmimet e “kripura” për produkte apo shërbime të caktuara, të cilat më tej kthehen edhe në subjekt të debatit publik çdo sezon. Këta faktorë lidhen ngushtë me kostot më të larta të furnizimit, sidomos në zonën mes Vlorës dhe Sarandës, ku aksesi nëpër furnitorë është më i vështirë dhe më i kushtueshëm; kosto më të larta të krahut të punës, duke pasur parasysh dhe akomodimin e tyre dhe ushqimin; stafin jo të qendrueshëm; dhe sidomos me faktin se në këto zona sezoni turistik nuk zgjat më shumë se dy muaj, ndërkohë që në pjesën dërrmuese të vitit, aktivitete në këtë zonë janë totalisht të mbyllura. Në zona të tjera, si Durrësi, dhe deri diku edhe veriu i vendit, sezoni turistik është pak më i gjatë, duke qenë se janë edhe lokacione më të aksesueshme gjatë stinëve të tjera. Nga ana tjetër, edhe investimet nga subjektet që operojnë në sektor në zonën e jugut për subjekte të caktuara vlerësohen si më të larta, duke qenë se janë të destinuara edhe për një turisëm më shumë “elitar” se sa “masiv”. Këta faktorë i japin shpjegim edhe bilanceve të marra në analizë, ku vihet re se të ardhurat dhe fitimet për rajonin e veriut, janë më të larta se në rajonin e jugut apo edhe të qendrës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ndërtimi, rekord kreditimi gjatë prillit/ 5.5 mld lekë hua të re për sektorin, që zë 35% të totalit të huave për biznese

Postimi mëparshëm

Startup-et, Shqipëria fiton tre pozicione/ Renditet në vend të 75-të, Tirana paraqitet me progres, “parakalon” Selanikun

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.