Ekonomi

Pesha e secilit qark në ekonomi/ – Tirana, Durrësi dhe Fieri, “monopol” në thuajse çdo sektor, Kukësi, “delja e zezë”

0

Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas rajoneve dhe qarqeve të vendit japin një panoramë më të qartë të rolit që secili qark ka në ekonominë kombëtare, por edhe peshën sipas sektorëve. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat për të kuptuar pikërisht këtë rol që qarqet kanë në ekonominë kombëtare. Të dhënat i referohen vitit 2019, pra vitit para pandemisë, por në linja të përgjithshëm mbeten aktuale edhe në 2021, duke qenë se gjatë kësaj periudhe kohore, shumë pak ose asgjë pritet të ketë ndryshuar në strukturën ekonomike.

Kështu, duke analizuar shifrat, shohim se vetëm 2 qarqe nga 12 të tilla, nuk janë të varura nga bujqësia; Tirana dhe Durrësi. Struktura e vlerës së thuar bruto në këto dy qarqe, mbahet nga tregtia/transporti/hoteleria, ndërkohë që në 10 qarqet e tjera mbizotëron bujqësia. Varësia e ekonomisë së këtyre 10 qarqeve nga bujqësia varion, nga qarku në qark. Fieri është ai me peshën më të lartë, ku bujqësia zë 45.5% të prodhimit, e ndjekur nga Berati me 45.2%. Ndër qarqet që kanë bujqësinë të parën ndërkohë, Gjirokastra dhe Vlora janë ato me varësinë më të ulët, me dicka më pak se 30% të vlerës së shtuar bruto.

Po nëse i analizojmë sektorët veçmas sipas peshës që ka secili qark, si paraqitet situata? Tirana është e para në 8 ndër 9 sektorë, me përjashtim të bujqësisë, ku kryeson Fieri. Ky qark zë thuajse ¼, ekzaktësisht, 23.9% të vlerës së shtuar bruto të sektorit bujqësor. Sektorë si Argëtimi, Artet apo informacioni dhe komunikacioni, si dhe pasuritë e paluajtshme ndërkohë, janë të varura thuajse tërësisht nga kryeqyteti, që zë një peshë prej më shumë se 70%. Madje, në rastin e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme, Tirana zë 74.7% të peshës, pra thuajse ¾. Në Industrinë nxjerrëse pesha e kryeqytetit është më e ulta, paçka se mbetet e para, me 36.9% të totalit. Durrësi është në 7 ndër 9 sektorët qarku i dytë, pas kryeqytetit, duke mos mbajtur këtë pozicion vetëm në rastin e bujqësisë dhe atë të administratës publike, ku Elbasani pozicionohet në vendin e dytë. Edhe qarku i Fierit bie në sy, i pozicionuar në 6 sektorë në vendin e tretë dhe në një, atë të bujqësisë, në vendin e parë. Pas bujqësisë, pesha më e lartë e Fierit në ekonominë kombëtare vihet re në sektorin e industrisë nxjerrëse, me 11.6% të totalit, atë të aktiviteteve financiare, me 7.7% të totalit, por edhe në ndërtim, me 7.2%. Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat e analizuara me imtësi nga “Scan Intelligence Unit” është edhe pozicionimi i Shkodrës në vend të tretë në rang kombëtar sa i përket peshës që ka në sektorin e arteve dhe argëtimit, me 3.9%. Kukësi ndërkohë mban një rekord absoult, duke qenë në të gjithë sektorët, qarku me kontributin më të vogël. Në rastin e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme, ky qark e ndan vendin e fundit, me 0.4% të totalit, me qarkun e Dibrës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset shqiptare, më optimistet në rajon,- Barometri Ballkanik i RCC: Vetëm 14% e sipërmarrësve presin të përkeqësohet situata

Postimi mëparshëm

Më shumë pasagjerë dhe mallra gjatë Majit, transporti ajror me rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.