Ekonomi

Pasuria nëntokësore, bie prodhimi me 21.7%/ Viti i pandemisë, lënda e parë e prodhuar, në rënie me 3 milionë ton

0

Toka, nëntotoka por edhe ujrat në Shqipëri kanë prodhuar rreth 18.5 milionë ton materiale gjatë vitit 2020, tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Këto materiale i referohen biomasës, pra kryesisht produkteve bujqësore, peshkimit (përjashtuar blegtorinë), mineraleve metalike dhe jo metalike, pra kryesisht materialet e minierave dhe nëntokës, ndërtimit, etj, materialeve të energjisë fosile, kryesisht hidrokarbure. Shifrat tregojnë se, viti 2020, ai i pandemisë, regjistron nivelin më të ulët të lëndës së parë të nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore në Shqipëri, të paktën që prej vitit 2016, kur edhe të dhënat janë publike. Gjatë vitit parardhës, atë 2019, lënda e parë e prodhuar nga burimet e brendshme natyrore në vend fiksohej në 21.9 milionë ton në tërësi. Pra, gjatë 2020-ës, rënia fiksohet në 15.6%.

Por nga se përbëhet lënda e parë e prodhuar nga burimet e brendshme natyrore në vend? Në vend të parë qëndrojnë mineralet jo metalike, me 46% të totalit. Në vend të dytë, me 40% ndjek biomasa, pra kryesisht produktet bujqësore, në vend të tretë mineralet metalike, me 8% të totalit dhe në vend të fundit, me vetëm 6%, materialet e energjisë fosile, pra kryesisht hidrokarburet. Krahasuar me vitin para pandemisë, vihet re se struktura e këtyre lëndëve të para ka ndryshuar disi. Lëndët e para të nxjerra kryesisht nga nëntoka, si ato të energjisë fosile, metalet, dhe materialet jo metalike kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Këto tre kategori numëronin rreth 14.18 milion ton lëndë të parë të prodhuar në 2019, dhe vetëm 11.09 milionë ton në 2020-ën, pra në rënie me 21.7% gjatë vitit të pandemisë, ose me rreth 3.1 milionë ton. Lëndët e para të prodhuara nga biomasa ndërkohë regjistrojnë një rënie më të lehtë. Kjo gjë ka bërë që struktura të ndryshojë disi gjatë 2020-ës, në favor të lëndëve të para nga biomasa.

Sa i përket eksporteve të këtyre produkteve, shifrat zyrtare tregojnë një rënie të tyre me 2.9% në 2020-ën, për një total prej rreth 4.1 milionë ton të eksportuara. Por, jo e njëjta gjë ka ndodhur me importet, të cilat janë rritur me 3.2%, për një total prej rreth 4.9 milionë ton. Sa i përket varësisë së Shqipërisë nga importi për këto produkte, ajo fiksohet në 20.9% në 2020-ën, nga rreth 17.8% që ishte kjo shifër në 2019-ën, apo vetëm 12.5% në 2012-ën.

Nga ana tjetër, sa i përket përdorimit të brendshëm të materialeve të prodhuara nga burimet natyrore, ku veç prodhimit të brendshëm llogaritet edhe diferenca mes importit dhe eksportit, vëmë re se për banor, shifra fiksohet në 6.8 ton në vit në 2020-ën, nga 7.9 ton në vit në 2019-ën. Në vitin 2016 kjo shifër fiksohej në 9.9 ton për banor. Sa i përket çmimit mesatar të këtyre materialeve, në 2020-ën, sipas Instat fiksohet në 85 lekë për kilogram, nga 75.2 lekë që ishte çmimi mesatar për kilogram në 2019-ën.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria vazhdon të “tkurret”/ Pandemia, “presion” lindjeve, në Berat, Korçë, Dibër i “frenoi” deri në 22%

Postimi mëparshëm

“Tkurren” diplomat e “shkencave ekzakte”/ Me rënie paraqiten edhe artet, “bum” diplomimesh në bujqësi dhe shëndetësi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.