Elon Musk është njeriu më i pasur në botë sot, me një pasuri që vlerësohet sipas “Bloomberg Billionaires Index” në rreth 229 miliardë euro. Ndonjëherë, shifrat në vetvete nuk e ilustrojnë dot më së miri rëndësinë dhe peshën që kanë. Për këtë arsye, “Scan Intelligence Unit” është përpjekur ta përkthejë dhe ilustrojë këtë shifër, pra pasurinë e Elon Musk në realitetin shqiptar. Një Shqiptar mesatar, bazuar në të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave fiton rreth 4867 euro neto në vit. Në terma më të thjeshtuar, mund të themi se, për të grumbulluar pasurinë e Elon Musk, shqiptari mesatar do të duhej të kishte filluar punë plot 47 milionë vite më parë, në një epokë kur njeriu i sotëm nuk ekzistonte, dhe kur vlerësohet se ka jetuar ndoshta paraardhësi më i largët i homo-sapiensit, IDA, një krijesë primate, rreth 58 cm e gjatë.
Edhe pasuria e shqiptarëve vlerësohet në nivele të ngjashme. Sipas raportit më të fundit të “Credit Suisse”, pasuria financiare e një shqiptari mesatar fiksohet në 4863 euro. Në terma më të thjeshtuar, nëse pasuria e një shqiptari do të ishte sa gjatësia e hapit të njeriut, atëherë, pasuria e Elon Musk do të ishte sa distanca e të gjithë perimetrit të tokës, pra e një udhëtimi 360 gradë në të gjithë diametrin e globit. Thënë edhe më ndryshe, në rast se pasuria e një shqiptari mesatar do të ishte sa diametri i një qelize mesatare të njeriut, pasuria e Elon Musk do të ishte e barabartë me distancën nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, deri në qendër të Kombinatit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments