EkonomiStudime

Pandemia “zhyt” edhe më tej industrinë e birrës, – Prodhuesit shqiptarë raportojnë rënie të të ardhurave me rreth 25%

0

Një tjetër sektor ku ndalet fokusi i “Scan Intelligence Unit” për të analizuar performancën e të ardhurave dhe të fitimit për vitin 2020, është ai i industrisë së birrave në Shqipëri. Në studim janë marrë katër ndër prodhuesit më të mëdhenj të birrës në Shqipëri, që janë: Birra Korça, Birra Tirana, Birra Peja Albania dhe Birra Stela, e cila nuk figuron me NIPT më vete por pjesë e Stefani & Co. Theksohet se Stefani & Co, perveç birrës Stela, prodhon dhe një sërë produktesh të tjera si : Iliria Weissebier, Cek Craft Beer, American Cola, American Orange, American Lemon etj, pra përfshin dhe performancën fiskale të produkteve të tjera. Nga të dhënat e pasqyrave financiare për vitin 2020, të marra nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezulton se Birra Korça ka nivelin më të lartë të të ardhurave për vitin 2020 me afro 700 mln lekë ose e shprehur në euro, gati 5.7 mln euro, e ndjekur nga Birra Tirana me 419.6 mln lekë ose 3.4 mln euro. Megjithëse me të ardhurat më të larta, ato paraqiten me rënie në nivelin e tyre krahasuar më vitin 2019, përveç birrës Peja, e cila ka regjistruar më shumë të ardhura në vitin 2020 se gjatë 2019-ës, me rritje prej 0.9%. Duke qenë se Birra Peja e ka biznesin e saj kryesor në Kosovë, përfaqsia në Shqipëri është e përqëndruar në import dhe distribucion, duke mos reflektuar performancën fiskale të prodhuesit, por që gjithsesi do të na shërbejë për të parë imapktin e krizës. Kjo mbështet dhe faktin se përse të ardhurat më të ulta për vitin 2020 i regjistron Birra Peja me një shifër prej 22.3 mln lekësh

Nga analiza e “Scan Intelligence Unit” mbi fitimet, rezulton se, për vitin 2020, prodhuesit kryesorë të birrave kanë dalë me humbje, duke përjashtuar birrën Korça, e cila llogarit një fitim prej 67.8 mln lekësh. Megjithatë edhe pse me fitim, krahasuar me vitin 2019 ky tregues ka rënë me 55%, pra më shumë se gjysma e fitimit. Humbjen më të madhe nga katër birrat kryesore e ka birra Tirana me rreth 210 mln lekë. Birra Tirana dhe Birra Peja Albania rezultojnë me humbje edhe për vitin e pandemisë, por edhe për vitin paraardhës, pra 2019-ën. Për Birrën Tirana humbja rezulton më e vogël gjatë vitit 2020 me 19%, ndërsa për Birrën Peja Albania, humbja për vitin 2020 është 1192.7% më e madhe se në vitin 2019.

Mbështetur në të dhënat e analizuara mund të themi se shqiptarët kanë konsumuar më pak birrë gjatë pandemisë, por le të kujtojmë dhe buletinin fiskal të Drejtorisë së Përgjithshmë të Doganave, i cili tregonte se edhe sasia e importuar e birrës kishte prekur rekorde minimale gjatë vitit 2020. Ajo llogaritej në 41,988,000 litra import gjatë 2020-ës, shifra më e ulët që prej vitit 2016, kur ishte në rreth 31 milionë litra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Fatura” ndryshe e luftës në Afganistan, – 9.2 herë më shumë se PBB e Shqipërisë këto 20 vite, e “barazojmë” në vitin 2148

Postimi mëparshëm

Statistikat e zeza, Shqipëria e gjashta në Europë për shkallën më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.