Ekonomi

Pandemia, si ka ndryshuar tregtia e jashtme? Izraeli, Kosova, lindja, Afrika, ushqimet, peshku, ilaçet, rrjedhoja të krizës

0

Pandemia ka ndryshuar rrënjësisht thuajse çdo segment të ekonomisë. Vëllimet tregtare me jashtë janë një prej këtyre aspekteve që kanë ndryshuar “fytyrë”. Përgjatë të gjithë 2020-ës, importet në vlerë rezultojnë 9% më të ulta se viti paraardhës, ndërsa importet 6.8% në rënie. Duke analizuar me imtësi shifrat vëmë re se disa grupmallra, si ushqimet janë regjistruar në rritje krahasuar me vitin 2019. Ushqimet, pijet dhe duhani janë rritur me 0.5%, sa i përket importeve dhe me 10.4% sa i përket eksporteve, tregojnë të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave. Lajmi i mirë i pandemisë ndërkohë është ai se bilanci tregtar, deficiti në rastin konkret, është ngushtuar me 4.9%.

Ajo që bie më shumë në sy nga shifrat është ndryshimi në hartën gjeografike të vendeve partnere, të cilat do t`i analizojmë me detaje. “Scan Intelligence unit” ka analizuar të gjithë ecurinë e tregtisë së jashtme me detaje gjatë vitit të pandemisë, për të veçuar gjetjet kryesore.

Importet, bien nga BE, “fundosen” nga izraeli, rritet Kosova dhe Australia
Sa i përket importeve në rang kontinentesh, të gjitha me përjashtim të Australisë, regjistrohen në rënie. Importet nga Australia gjatë 2020-ës janë rritur me 63%. Në total janë vetëm 28 shtete me të cilat importet janë rritur gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që në vend të parë sa i përket rritjes qëndron Libani, me mbi 3000%. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gjenden mes këtyre 28 shteteve, packa se ritmet e rritjes janë nën 10%. Një rritje të konsiderueshme gjatë vitit të pandemisë kanë njohur edhe importet nga Rusia. Në kahun e kundërt të tabelës ndërkohë, kemi Izraelin, si shtetin ku importet kanë pësuar rënien më të madhe gjatë të gjithë vitit të kaluar, me 69.4%. Pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit Europian, si Italia, Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar gjenden po në listën e vendeve ku importet kanë rënë.

Importet të ndara sipas grupmallrave sugjerojnë se, vetëm ushqimet dhe produktet kimike janë rritur gjatë vitit të pandemisë, ndërkohë që të gjitha kategoritë e tjera, përfshirë tekstilet dhe këpucët janë regjistruar në rënie.

Eksportet, sërish Australia, zhgenjën Kosova
Sa i përket eksporteve ndërkohë, në rang kontinentesh, rritje ka vetëm në drejtim të Afrikës, me pak më shumë se 100%, dhe në drejtim të Australisë, ndërkohë që me të gjitha kontinentet e tjera regjistrohet rënie. Ndaj vendeve si Egjipti, Malaizia, Zelanda e re, Nigeria, eksportet tona gjatë vitit të pandemisë janë rritur me norma 3-shifrore, ndërkohë që me Kosovën kanë rënë me 12%. Në rënie të ndjeshme regjistrohen edhe eksportet ndaj Spanjës, Belgjikës, Rusisë, Holandës, Shteteve të Bashkuara, Suedisë, etj, etj.

Eksportet, të ndara sipas grupmallrave regjistrohen të gjitha në rënie, me përjashtim të ushqimeve, pijeve dhe duhanit, ndërkohë që tekstilet, regjistrojnë një rënie me thuajse 13% tregojnë shifrat zyrtare. Tekstilet përfaqësojnë një pjesë të konsiderushme të eksporteve shqiptare si dhe një prej industrive më të rëndësishme në vend, sidomos në drejtim të tregtu të punës, atë fasone.


Ushqimet, lindja po zëvendëson perëndimin?
Po të analizojmë vetëm grupmallrat e ushqimeve, pijeve dhe duhanit ndërkohë me të gjitha shtetet e botës, vëmë re se Shqipëria ka rritur ndjeshëm importet nga Mozambiku, në vend të parë për rritje, ndjekur nga Mali, Anguila, apo Republika e Afrikës Qendrore, por që të gjitha me vlerë nominale të ulët. Po të analizojmë vetëm 20 partnerët tanë kryesorë tregtar të importeve, vëmë re se rritjen më të madhe e regjistrojnë vendet e lindjes së Europës, përfshirë Kosovën, të cilat sipas radhës janë: Ukraina, Kroacia, Hungaria, Serbia dhe Kosova. Ndër partnerët, rënien më të madhe të importeve të ushqimeve, pijeve dhe duhanit gjatë 2020-ës e regjistrojnë vetëm shtete të Bashkimit Europian, me përjashtim të Maqedonisë së veriut. Duke qenë se duhani dh epijet janë regjistruar në rënie gjatë vitit të kaluar, në terma importesh, ushqimet mbajën peshën më të madhe në këtë kategori.

Peshku, rekord historik importesh gjatë pandemisë
Një prej produkteve që ka prekur shifrën më të lartë në histori të importeve në vendin tonë është edhe peshku. Gjatë vitit të pandemisë janë importuar rreth 8.78 mld lekë peshk dhe produkte deti, ose rreth 71 milionë euro, në rritje me 6% karahasuar me vitin paraardhës. Me turizmin dhe restorantet të cilët në paralizë gati të plotë gjatë vitit të kaluar, ky boom në importin e produktevce të detit mund të shpjegohet vetëm me urinë e shtuar të shqiptarëve për të gatuar peshk në shtëpitë e tyre apo me rënien e industrisë vendase të peshkimit. Në terma volume në peshë rritja rezulton më e lartë se në vlerë, çka përklthehet në çmime më të ulta import.

Produktet farmaceutike, rekord i pamjaftueshëm
Edhe importi i produkteve farmaceutike ka prekur një rekord historik, paçka se diferenca mes vitit te pandemisë dhe atij parardhës, kur nuk ishim aspak në emergjencë shëndetësore, duket të jetë mjaft e vogël.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Profili i shqiptarëve në timon. Nga qytetet me më shumë makina, te kambio e preferuar, marka e preferuar, e deri te muaji i preferuar i blerjeve

Postimi mëparshëm

868 mijë shqiptarë me leje qëndrimi në BE! Shifra në rënie me 4.83% krahasuar me vitin 2014

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.