Ekonomi

Pandemia ndryshon strukturën e ekonomisë/ “Real estate” i zë vendin industrisë përpunuese. Administrata publike, industrisë gjithsej

0

Tashmë, me publikimin më të fundit të Institutit të Statistikave në lidhje me vlerësimin paraprak të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020, kemi një panoramë më të qartë në lidhje me impaktin e pandemisë në ekonominë shqiptare. Pasojat e covid-19 kanë ridimensionuar disi strukturën e ekonomisë shqiptare sipas aktiviteteve ekonomike. “Scan Intelligence Unit” i ka analizuar me hollësi shifrat për të kuptuar më qartë këtë ridimensionim. Aktivitete si bujqësia, ndërtimi, informacioni dhe komunikacioni, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë rritur peshën e tyre në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020. Nga krahu tjetër, industria, tregtia, aktivitetet financiare, ato shkencore si dhe arte/argëtim/çlodhje kanë ulur peshën e tyre. Bujqësia, me 0.87 pikë përqindje, pasuritë e paluajtshme me 0.62 pikë, administrata publike me 0.61 pikë, si dhe ndërtimi me 0.43 pikë kanë regjistruar edhe rritjen më të madhe. Nga ana tjetër gjejmë industrinë, me një tkurrje të peshës së saj në strukturën ekonomike të vendit prej -1.04 pikë përqindje, si dhe tregtinë/transportin/hotelerinë/shërbimin ushqimor me një tkurrje prej -0.69 pikë përqindje.

Bujqësia vijon të mbetet kështu në vend të parë sa i përket kontributit në ekonominë e vendit, madje duke e thelluar epërsinë e saj, me një peshë në 19.26% të totalit të prodhimit ekonomik të vendit, nga 18.39% që ishte para pandemisë. Në vend të dytë ndjek tregtia/transporti/hoteleria/shërbimi ushqimor, me një peshë në 11.01%, nga 12.05% që mbante në vitin 2019. Në vend të tretë ndërkohë është ngjitur administrata publike, që i ka rrëmbyer këtë pozicion industrisë, dhe me një peshë në ekonominë e vendit prej 12.29%, nga 11.68% që mbante në 2019-ën. Industria ka zbritur kështu në vend të 4-tët, me një tkurrje të peshës së saj, nga 16.86%, në 16.17%. Ndërtimi renditet në vend të 5-të, ashtu si në 2019-ën, me një peshë në ekonomi prej 9%. Në vend të 6-të gjejmë të pozicionuar aktivitetet shkencore dhe profesionale, me rreth 6.4% të PBB-së, ndërsa në vend të 7-të kemi sërish një ndryshim, me aktivitetet e pasurive të paluajtshme që i kanë zënë vendin industrisë përpunuese. Sektori i `real estate` në 2020-ën përfaqësonte 6.22% të ekonomisë, ndërsa industria përpunuese, 6.04%. Informacioni dhe komunikacioni me 3.04%, arte/argëtim/çlodhje me 2.22%, si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 2.08% mbajnë tre vendet e fundit, duke mos regjistruar asnjë ndryshim krahasuar me vitin pararendës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tiranë, shtohen borxhet ndaj UKT/ Familjarët borxhlinj pakësohen, por rriten institucionet

Postimi mëparshëm

Çmimi i arit “fryn” rezervën e Shqipërisë/ Rezerva e Bankës së Shqipërisë “kapërcën” për herë të parë nivelin e 5 mld euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.