Ekonomi

Pandemia “ndezi” dashurinë e shqiptarëve për bujqësinë! Bizneset në sektor zënë mbi 90% të rritjes së ndërmarrjeve aktive në 2020-ën

0

Në të gjithë Shqipërinë ka rreth 166 mijë biznese aktive, sipas të dhënave që i referohen vitit 2020, në rritje me 4,044 njësi krahasuar me vitin e pandemisë. Por, si kanë ndryshuar ndërmarrjet aktive sipas qarqeve dhe sipas sektorit? “Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave për t`i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Vetëm një qark në rang republike regjistron një rënie të numrit të bizneseve aktive me vitin e pandemisë; qarku i Shkodrës, paçka se rënia është mjaft e lehtë. Në Shkodër, viti 2020 ka çuar në një rënie të bizneseve aktive me 40 njësi. Por, cilat janë qarqet me rritjen më të madhe? Në vend të parë gjejmë Fierin, ku ndryshimi absolut vjetor i bizneseve active në 2020-ën fiksohet në 931 njësi. Ndjek kryeqyteti, me 669 biznese aktive më shumë në rang qarku. Berati ndërkohë mban vendin e tretë, me 485 biznese më shumë. Lista vijon me Elbasanin, Korçën, Vlorën, Durrësin, Lezhën, dhe Dibrën. Ndërkohë, Kukësi, me vetëm 126 biznese më shumë, Gjirokastra me 120 të tilla dhe Shkodra që është me rënie, zënë tre vendet e fundit.

Tani, le të kalojmë të analiza sipas sektorëve, duke filluar me klasifikimin e parë, shërbime apo prodhim të mirash. Në rang republike, ndërmarrjet aktive të prodhimit janë rritur me 4981 në vitin 2020, ndërkohë që ato të shërbimeve ranë me 937 njësi. Rritja e ndjeshme e biznesve aktive në prodhim është thuajse ekskluzivisht rrjedhojë e “bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit”, ku rritja vjetore fiksohet në rreth 4706 njësi, me një kontribut prej 94.4%, me me një rritje vjetore prej rreth 10.2%. Fieri, Berati, Korça dhe Elbasani janë qarqet ku është përqëndruar edhe rritja më e madhe e aktivitetit të bizneseve në këtë sektor. Vetëm Fieri si qark zë thuajse ¼, ose 23.3%. Të katër këto qarqe së bashku zënë rreth 58.8% të totalit të rritjes së biznesve aktive në bujqësi gjatë 2020-ës. Pjesa tjetër është kontribut i sektorit të ndërtimit, ku bizneset aktive janë rritur me 334 njësi gjatë vitit të pandemisë. Duket se pandemia ka ndezur “dashurinë” e shqiptarëve për bujqësinë. Diçka e tillë vihet re edhe nga të tjera shifra, të cilat konfirmojnë se numri i fermerëve në 2020-ën është rritur me 4580 të tillë, dhe ku sërish Fieri mban vendin e parë, me diçka më shumë se 1 mijë. Bizneset që operojnë në sektorin e industrisë ndërkohë vihen re në rënie jo vetëm në nivel republike por edhe në 9 qarqe, ndërkohë që në vetëm 3 prej tyre janë rritur.

Sa i përket shërbimeve ndërkohë, vetëm informacioni/komunikacioni si dhe transporti kanë dhënë kontribut pozitiv, ndërkohë që akomodimi/ushqimi si dhe tregtia kanë dhënë një kontribut negativ. Nga analiza e të dhënave në drejtim të shërbimeve, bien në sy dy qarqe, Shkodra dhe Tirana. Në Shkodër, sektori i tregtisë ka pësuar një rënie të ndjeshme të bizneseve aktive, me më shumë se 200 njësi. Në Tiranë ndërkohë kanë pësuar një tkurrje domethënëse bizneset aktive në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pandemisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gjirokastër, gati 1 në 2 është pensionist/ Në Vlorë, Korçë, Berat, thuajse 1 në 3 banorë, Tirana, më e reja

Postimi mëparshëm

Fuqia Ushtarake, Shqipëria e 115-ta në botë/ Raporti i “Global Firepower”: Renditemi të dytët në rajon, por përkeqësohemi në pikëzim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.