Pagat reale në Shqipëri gjatë 2020-ës, pra vitit të pandemisë, janë rritur me një normë prej 0.8%. Rritja reale e pagave mat rritjEn e pagave të zhveshur nga efekti i inflacionit. Të dhënat janë bërë publike nga Instituti i Vienës në raportin më të fundit për rajonin e gjerë, atë të Europës qendrore, lindore dhe juglindore. Por ndërkohë që pagat reale në Shqipëri janë rritur me 0.8% gjatë 2020-ës, me sa janë rritur në rajon? Me plot 4%, thotë Instituti i Vienës në këtë raport. Kjo do të thotë se, rritja e pagave në Shqipëri ka qënë jo vetëm 5 herë më e ulët se në rajon, por e vendos vendin tonë në vendin e 4-tët nga fundi, me një performancë më të mirë vetëm se Çekia, Kosova dhe Turqia. Në Kosovë, Instituti i Vienës vlerëson se, pagat reale gjatë 2020-ës kanë rënë me 2.5%. Kosova dhe Turqia janë dy shtetet e vetme në rajonin e gjerë të cilat vlerësohen me rënie të pagave gjatë vitit të pandemisë.
Për vende të tjera të rajonit ndërkohë, si Serbia, rritja reale e pagave gjatë vitit në fjalë fiksohet në 7.7%. Ndërkohë, në vend të parë në rajon për rritjen më të madhe reale të pagave gjatë 2020-ës, qëndron Lituania, me një normë pranë 9%. Nga krahu i kundër i tabelës ndërkohë, gjejmë Turqinë, me një rënie në masën 8.5%.
Sa i përket rritjes së pagave sipas sektorëve, Instituti i Vienës nënvizon se për të gjithë rajonin, rritja më e madhe është regjistruar në shëndetësi, ndjekur nga sektori i komunikimit dhe edukimi. Në shëndetësi, rritja fiksohet mbi 12%. Sektori i vetëm me rënie të pagave reale gjatë 2020-ës në rajon ndërkohë, vlerësohet ai i akomodimit dhe restoranteve, ku pagat kanë rënë me 3.9%.
Klikoni kutu per raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments