Gara e 25 prillit, nuk është vetëm një garë ideologjish, programesh, vizionesh, individësh, apo liderësh, pasi po ta “banalizonim” pak, mund ta konsideronim edhe si një garë për një vend pune. Kjo është gjëja e parë që të shkon ndërmend kur sheh edhe përfitimet monetare të të qënit deputet. Përfitimet që merren nga statusi i deputetit janë të shumta, por sa shkon mesatarisht paga e një deputeti në kuvendin shqiptar? “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e marra nga pasqyra e publikuar nga vetë faqa zyrtare e Kuvendit, mbi pagën e deputetëve dhe përfitimet e tjera financiare. Këto të dhëna i referohen muajit shkurt të këtij viti. Paga e një deputeti është mesatarisht 158 mijë lekë (bruto), pa llogaritur këtu përfitimet për naftën, faturat e telefonit apo pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dhe dietat që përfitojnë. Nëse do të flisnim për pagën neto të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, mesatarisht ajo arrin në 116 mijë lekë. Nga të dhënat, rezulton se bashkë me shpërblimet, ku përfshihen honoraret, karburanti, telefonia, qiraja etj, paga bruto arrin në 276 mijë lekë. Ajo që tërheq vëmendjen janë pagesat që paguan shteti shqiptar për shpenzimet e tjeta financiare për deputetët, shifër që tejkalojn madje edhe pagën neto që merr një deputet.
Po të krahasojmë pagën mesatare bruto të një deputeti, bashkë me shpenzimet e përmendura më lart, me pagën mesatare bruto në Shqipëri, shohim se paga e deputetëve është rreth pesë herë më e lartë se paga mesatare në Shqipëri e cila arrin në 54 951 lekë.
“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka llogaritur diferencat mes pagës mesatare që marrin deputetët, me pagën që merr nje mësues apo një mjek. Nga të dhënat e Kuvendit të Shqipërisë, të kryqëzuara me të dhënat e Institutit të Statistikave, shohim se paga e punonjësve të administratës publike; sigurimit social të detyrueshëm; arsimit; shëndetësisë dhe aktivitete të punës sociale, është rreth katër herë më e ulët se paga e një deputeti. 66 435 shkon paga bruto e profesioneve të përmendura më lart.
Le të vijmë të pagesat që paguan shteti shqiptar për deputetët, ose siç quhen ndryshe përfitimet financiare. Rreth 35 mijë lekë të reja janë përfitimet mesatare që përfitojnë deputetët për shpenzimet e karburantit. 17 mijë në muaj shkon për shpenzimet e telefonisë, ndërsa honoraret neto arrijnë mesatarisht në vlerën 10 mijë lekë të reja. Shifrën më të lartë e arrijnë shpenzimet për dieta për udhëtime brenda vendit qe shkon në rreth 48 mijë lekë, ndërkohë që ka edhe deputetë të cilët jetojnë në apartamente me qira dhe shteti shqiptar duhet të paguajë mesatarisht 6 mijë lekë për t`u mbuluar atyre këto shpenzime.
Nga të dhënat e pasqyruara në Kuvendin e Shqipërisë shohim se dy deputetet që marrin dhe pagën më të lartë bruto bashkë me përfitimet financiare i përkasin gjinisë femërore. Paga e tyre mujore arrin deri në 339 mijë lekë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments