“Scan Intelligence Unit”, ndryshe nga analizat e tjera mbi pagën mesatare në vend, këtë herë ka sjellë për publikun një perceptim më të gjerë të statistikave, duke i trajtuar ato jo vetëm në nivel qarku, por gjithashtu dhe në nivel bashkie. Këto të dhëna janë marrë nga “Vjetari Rajonal 2021”, i cili është një botim që ofron krahasime të treguesve statistikorë më të rëndësishëm të vendit. Sipas të dhënave, për vitin e pandemisë, paga mesatare mujore në Shqipëri është regjistruar në 53,662 lekë. Sipas grafikut të krijuar nga “Scan Intelligence Unit”, ku paraqitet paga mesatare mujore për qarqet e Shqipërisë, por edhe për Bashkitë, Tirana ka pagën mesatare mujore më të lartë. Paga mesatare në Tiranë, në nivel bashkie gjatë vitit 2020, regjistrohet në 60,952 lekë. Bashkia Dropull, pjesë e qarkut të Gjirokastrës, është e dyta në renditje me pagën mesatare më të lartë pas Tiranës. Paga për këtë bashki arrin në 55,983 lekë. Më pas ndjek Bashkia e Fierit me një pagë mesatare mesatare mujore bruto deri në 54,005 lekë dhe po ashtu një bashki e po këtij qarku, Patosi, me 49 478 lekë. Po cilat bashki renditen në fund të listës me pagën mesatare mujore më të ulët? Të dhënat tregojnë se Himara ka pagën mesatare bruto më të ulët nga të gjitha bashkitë e Republikës, me 32,266 lekë. Po ashtu, pagë e ulët regjistrohet dhe në bashki si Finiqi e Këlcyra me 37,988 lekë dhe 38,191 lekë respektivisht.
Nëse do të flisinim vetëm në nivel qarku, Tirana dhe Gjirokastra regjistrojnë pagën më të lartë mesatare për vitin 2020, ndërsa qarqet me pagën më të ulët janë Shkodra e Lezha. Po si paraqitet ky tregues krahasuar me vitin 2019-të? Për vitin 2020, paga mesatare krahasuar me vitin 2019-të është rritur me 2.4%. Referuar dhe grafikut, qarku i Gjirokastrës është qarku me rritjen më të madhe, ndjekur nga qarku i Shkodrës. Qarku i Kukësit regjistron rritjen më të ulët e ndërsa ai i Fierit ka pësuar ulje në nivelin e pagës mesatare bruto për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019-të.
Ndryshimi vjetor në përqindje i pagës mesatare mujore bruto sipas qarkut, 2020
"Scan Intellignce Unit”, përpos të tjerave, ka analizuar të dhënat mbi pagën mesatare mujore edhe sipas gjinisë. Në këndvështrim të përgjithshëm janë meshkujt ata që kanë pagën më të lartë gjatë vitit 2020, pothuaj në të gjithë qarqet. Meshkujt kanë pagën më të lartë në qarkun e Tiranës, me 62,986 lekë dhe më të ulët në qarkun e Lezhës, me 42.349 lekë. Po ashtu edhe femrat kanë pagën më të lartë në qarkun e Tiranës, me 58.309 lekë dhe më të ulët në qarkun e Lezhës, me 43.175 lekë. Në qarkun e Elbasanit, meshkujt paguhen më pak se femrat me rreth 5%. Po ashtu edhe dhe në qarkun e Lezhës, femrat kanë pagë mesatare më të lartë se meshkujt.
Paga mesatare mujore bruto sipas qarkut dhe gjinisë, 2020
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments