“Scan Intel” vazhdimisht e ka trajtuar çmimin e naftës në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera të Europës. Këto analiza kanë zbuluar se në periudha të caktuara, vendi ynë ka qenë mes 10 shteteve me çmimin e naftës me pakicë më të shtrenjtë në botë, renditur krah 9 shteteve të tjera me një PBB për frymë deri në mbi 10 herë më të lartë se ne (shiko këtu), apo se 1 litër naftë në Shqipëri na kushton thuajse 1 orë pune, ndërkohë që një zviceriani i duhen vetëm 4 minuta (shiko këtu). Këtë herë do të merremi po me çmimin e naftës, por krahasuar me pagën mesatare mujore, dhe sërish analiza do të jetë disi ndryshe, për të kuptuar se sa do të duhet të ishte litri i naftës me pakicë në vendet e Bashkimit Europian në mënyrë që t`i peshonte njësoj sa një shqiptari mesatar mbi të ardhurat mujore. Kjo përllogaritje është e bazuar mbi pagën mesatare neto mujore në Shqipëri, që fiksohet pranë 395 eurove në tremujorin e parë të këtij viti, dhe pagës mesatare neto në vendet e Bashkimit Europian.
Kështu, nga analiza rezulton se, një europian mesatar do të duhet ta paguante litrin e naftës plot 8.8 euro në mënyrë që t`i peshonte po aq sa një shqiptari, krahasuar me pagën mesatare. Kjo shifër i referohet mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që nëse krahasimin do ta bëjmë sipas secilit vend, do të vëmë re diferenca. Kështu, në Luksemburg, litri i naftës do të duhej të kushtonte plot 16.6 euro në mënyrë që qytetarëve nga ky vend t`i peshonte në të ardhurat mujore njësoj sa një shqiptari. Në Danimarkë do të duhej të ishte 16.6 euro, Holandë 14.4 euro, në Irlandë 14.1 euro, Suedi 13.7 euro, Austri 13.5 euro, Finlandë dhe Gjermani 12.8 euro, në Francë 12.2 euro, Belgjikë 12.5 euro, apo Qipro rreth 9.1 euro.
Pra, litri i naftës në Shqipëri sot (8 gusht, 220 lekë/litër) peshon në të ardhurat tona, aq sa do të peshontë në Bashkimin Europian sikur qytetarët në vendet e unionit ta paguanin 8.8 euro, apo në Luksemburg, thuajse 17 euro.
Kjo analizë merr për bazë vetëm pagën mesatare neto, pra pas taksave dhe detyrimeve të tjera mbi pagën, por nga ana tjetër nuk merr për bazë koston e jetesës në secilin vend. Gjithsesi, bazuar edhe në shifrat më të fundit nga Eurostat, të paktën sa i përket produkteve bazë, diferencat në çmime mes Shqipërisë dhe Europës janë të vogla.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments