Numri i fluturimeve gjatë muajt shkurt të vitit aktual është rritur me 86.8%, krahasuar me shkurtin e vitit që lamë pas, tregojnë të dhënat e “INSTAT”, mbi statistikat e transportit. Ky tregues gjithashtu shihet të ketë pësuar rritje dhe krahasuar me dymujorin e vitit 2021, me 101.9%. Rritje kanë pësuar dhe pasagjerët nëse do t`i analizonim sipas mënyrës së udhëtimit. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në linja detare është rritur me 13.4%, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2021, ndërsa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në linja ajrore është rritur me 3 herë. Gjatë muajit shkurt të këtij viti janë regjistruar 759 pasagjerë që kanë udhëtuar në linja hekurudhore, duke pësuar po ashtu një rritje, me 2.2 herë, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me dymujorin e vitit 2021, gjatë dymujorit të vitit 2022, numri i pasagjerëvë që kanë udhëtuar në linja detare është rritur me 32.9%, ndërsa i atyre që kanë udhëtuar në linja ajrore është rritur me 193.9%.
Referuar po këtyre të dhënave, sa i përket importit të mallrave, vendi ynë ka hasur një rritje të përgjithshme të tyre në të gjitha llojet e transportit kryesisht atij ajror dhe rrugor. Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, është 357,9 mijë ton, duke u rritur me 4,1 %, krahasuar me Shkurtin e vitit 2021. Ky tregues nuk ka pësuar të njejtin ndryshim nëse do ta analizonim në tërma dymujorë. Në dymujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të ngarkuara në porte ka rënë me 9.2%, krahasuar me dymujorin e vitit 2021. Për shkurtin e vitit 2022, volumi i mallrave të transportuara me ajër është 153,3 ton, duke u rritur 23,8 % në krahasim me një vit më parë. Me rënie paraqitet volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë, me 39.5%, krahasuar me shkurtin e vitit 2021.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments