FunData

Makina na vlen më shumë se paratë në bankë/ “Flota”, sa 16% e PBB-së! Vlera e një mjeti, më e lartë se pasuria financiare e një familje shqiptare

0

Percpetimi I përgjithshëm, sidomos I të huajve për Shqipërinë lidhet ngushtë edhe me lidhjen që shqiptarët kanë me automjetet, duke I konsideruar si të “fiksuar” pas markave të caktuara dhe makinave deri diku luksoze. Këtë perceptim e “vulosin” edhe shifrat. “Scan Intel” ka bërë një kryqëzim të shifrave zyrtare nga institucione të ndryshme brenda vendit, për të kuptuar vlerën e mjeteve të shqiptarëve dhe raportin e kësaj vlere me ekonominë e vendit apo edhe me llogaritë bankare.

Vlera e mjeteve motorike të shqiptarëve fiksohet pranë 2.8 miliardë eurove. Kjo vlerë përfshin të gjitha mjetet motorike, pra jo vetëm autoveturat. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se kjo vlerë i referohet vitit 2021, ndërkohë që në vitin 2012 fiksohej në vetëm 492 milionë euro. Pra, në harkun e 9 viteve rritja është pranë 469%, ose 2.3 miliardë euro më e lartë. DPSHTRR vlerëson gjitashtu se vlera mesatare e një mjeti motorik mes viteve 2013-2021 në vendin tonë fiksohet pranë 6694 euro. Duke qenë se vlera I referohet të gjitha llojeve të mjeteve, pra edhe atyre me vlerë nominale të lartë, si mjete motorike pune, apo mjete luksoze, atëherë rrjedhimisht edhe mesatarja ndikohet nga to. Ndërkohë, përpara vitit 2012, vlera mesatare e një mjeti motorik në vendin tonë fiksohej pranë vetëm 1247 eurove. Pra, kemi të bëjmë me një rritje prej 437%, ose rreth 5447 euro.

“Scan Intel” I ka analizuar shifrat edhe në një aspekt ndryshe. Këto shifra tregojnë se vlera e automjeteve dhe mjeteve të tjera motorike në vendin tonë është e barabartë me 15.7% të të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë në vitin 2021. Në vitin 2012, kjo normë fiksohej pranë vetëm 4.04%. Deri në fund të vitit 2021, depozitat në sektorin bankar fiksoheshin në rreth 10.5 miliardë euro, ku përfshihen të gjitha llojet e llogarive, pra jo vetëm individët. Krahasuar me paratë në bankë, mjetet e shqiptarëve vlejnë sa 26.6% e tyre, pra thuajse ¼-ta. Në vitin 2012 kjo normë fiksohej pranë vetëm 6.14%. Po krahasuar me pasurinë financiare të familjeve shqiptare? Sipas një vrojtimi të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, pasuria mesatare financiare e një familje shqiptare fiksohet pranë rreth 530 mijë lekëve, ose 4565 euro. Pra, mesatarisht, një mjet motorik ka një vlerë më të lartë se mesatarja e parave që disponon një familje shqiptare. Duke pasur parasysh se në vendin tonë qarkullojnë diçka më shumë se 700 mijë mjete dhe se vetëm 34% e familjeve e zotërojnë një të tillë, mund të themi se përafërsisht kjo pjesë, pra 34%-ëshi i familjeve, zotërojnë vetëm një mjet. Kjo do të thotë se vlera e një mjeti që posedon një familje shqiptare mesatarisht është më e lartë se paratë që ato disponojnë, më saktësisht 46.6% më e lartë.

Kjo përllogaritje I referohet disa vlerave të përafërta, pasi kemi të bëjmë me një kryqëzim shifrash zyrtare të DPSHTRR dhe një anketimi të Bankës së Shqipërisë mbi më shumë se 2200 familje në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët vijojnë të “trokasin” dyerve të Europës/ Azilantët, shifrat e prillit dy herë më të larta se vjet, por poshtë niveleve të para pandemisë

Postimi mëparshëm

DPSHTRR kthehet në “korporatë”/ 26 milionë euro xhiro, 7 milionë euro fitime në vit. Mes 10 kompanive më të mëdha në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.