Hyrjet e shtetasve të huaj për muajin maj të këtij viti jo vetëm që kanë kaluar nivelin e para pandemisë, pra majin e vitit 2019, por shifrat tregojnë se kanë kapur rekord. Kështu, numri i hyrjeve të shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë, për muajin maj të vitit 2022, është më i larti për këto shtatë vitet e fundit. Janë 604,430 shtetas të huaj të regjistruar për muajin maj, dhe rritja rezulton me 83,9%. Nga ana tjetër, hyrjet gjithsej janë regjistruar 1,074,828, duke u rrtiur me 77.5%, krahasuar me muajin maj të vitit 2021. Kjo rritje paraqitet pozitive sa i përket rimëkëmbjes së turizimit pas pandemisë, por numri i lartë i hyrjeve vjen edhe si pasojë e tifozëve të ardhur për ndeshjen e zhvilluar me datë 25 maj. Rikujtojmë se kompeticioni i UEFA-s, finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenoordit, u zhvillua në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”. Ky event u shoqërua me ardhjen e mijëra tifozëve në mbështetje të skuadrave të tyre duke ndikuar kështu edhe në rritjen e hyrjeve e rrjedhimisht në turizëm. Edhe përgjatë pesëmujorit të parë të vitit 2022, numri i hyrjeve gjithsej shihet të jetë rritur me 54.7%, ndërsa hyrjet nga shtetasit e huaj janë rritur me 54.8%.
Të njejtin ndryshim vërejmë edhe nëse do të flisnim për daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë. Gjatë muajit maj të vitit 2022 janë 1,121,298 dalje, duke shënuar rritje me 72.2%. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqiprisë janë 517,692 dhe rritja regjistrohet në 51.8%. I njejti ndryshim vërehet edhe nëse e analizojmë në terma pesëmujorësh. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë të 2022, është 2,020,676 duke u rritur 51,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë majit të vitit 2022, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova mban vendin e parë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia. Por si paraqitet ndryshimi vjetor i hyrjeve sipas shteteve? Rritjen më të lartë krahasuar me muajin maj të viti 2021 e regjistron Spanja, me rritje të hyrjeve deri në 364%. Hyrjet nga Greqia gjithashtu kanë pësuar një rritje të konsiderueshme të hyrjeve deri në 357%, ndjekuar nga Anglia me rritje deri në 311%. Hyrjet nga Zvicra paraqiten me rënie gjatë majit, me 4.2%. Sipas të dhënave, ky është i vetmi shtet nga i cili kanë ardhur më pak vizitorë se përgjatë majit të vitit 2021.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments