Ndërkohë që kriza e çmimeve ka rikonfiguruar dukshëm hartën e importeve të Shqipërisë (kliko këtu), jo e njëjta gjë mund të thuhet për atë të eksporteve, sinjalizojnë të dhënat zyrtare për muajin prill nga Instituti i Statistikave të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Italia vijon të qëndrojë në vend të parë, ashtu si në prillin e vitit të kaluar. Me rreth 20 miliardë lekë eksporte, Italia përfaqëson thuajse gjysmën e hartës së eksporteve të Shqipërisë gjatë prillit, më saktësisht 47.8% të totalit, ndërkohë që një vit më parë kjo peshë fiksohej në 41.2%. Pjesa më e madhe e eksporteve drejt Italisë janë tekstile dhe këpucë, pra sektori fason. Në vend të dytë kemi një rotacion, ku Gjermania i ka zenë vendin Kosovës, dhe renditet tashmë e dyta. Gjermania përfaqëson rreth 8.3% të totalit të eksporteve të vendit gjatë prillit, nga 6.1% që ishte kjo normë një vit më parë. Kosova ndërkohë ka zbritur në vend të 3-të, me një peshë në 6.8%, nga 11.4% që ishte kjo normë gjatë prillit të 2021-shit.
Në vend të 4-tët është ngjitur Greqia, vend i cili vjet mbante pozicionin e 5-të, paçka se ka ulur peshën e saj në 4.5%. Spanja është zhdukur nga lista e `Top 10` vendeve kryesore të eksporteve të produkteve “Made in Albania” në prillin e këtij viti, duke zbritur në vendin e 23-të, nga vendi i 4-tët i vitit të kaluar. Ndërkohë, Serbia pozicionohet e 5-ta, dhe si në rastin e Greqisë, pavarësisht përmirësimit në renditje, ka një peshë më të ulët mbi totalin e eksporteve krahasuar me vitin e kaluar. Kina është ngjitur në vend të 6-të, duke rritur ndjeshëm edhe peshën e saj, nga 1.9%, në 3.5%. Maqedonia e Veriut ruan të njëjtin pozicion, të 7-tin ndër 10 destinacionet kryesore të produkteve “Made in Albania”. Kroacia ndërkohë është një hyrje e re në listë, dhe përfaqëson 2.4% të totalit të eksporteve të vendit gjatë prillit të këtij viti. Një vit më parë, Kroacia pozicionohej e 19-ta në hartën e eksporteve të Shqipërisë. Pavarësisht se me disa ndryshime të vogla në renditje, Turqia, në vend të 9-të dhe Mali i Zi në vend të 10-të vijojnë të jenë ashtu si një vit më parë, në top 10-tëshe.
Këto shifra sinjalizojnë një rritje të varësisë së produkteve “Made in Albania” nga Italia dhe kjo rritje nuk ka ardhur nga sektori fason, pasi shifrat tregojnë se pesha e industrisë tekstile në eksportet drejt Italisë ka rënë nga rreth 57% një vit më parë, në rreth 47% në prillin e këtij viti. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e eksporteve të hidrokarbureve, që janë ngjitur në vend të dytë sa i përket eksporteve drejt Italisë. Ndërkohë, në rastin e Kroacisë, një vend i cili është përfshirë në top 10-tëshen e destinacioneve të eksporteve shqiptare në prillin e këtij viti, vëmë re se dicka e tillë ka ardhur kryesisht si pasojë e eksporteve të gizës dhe çelikut, me dicka më pak se 5 milionë euro eksporte, nga zero eksporte që regjistronin këto produkte një vit më parë. Rritje të ndjeshme regjistrojnë edhe hidrokarburet dhe zarzavatet.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments