Bashkia Tiranë ka përditësuar informacionin mbi popullsinë dhe njësitë administrative, ku ndër të tjera gjenden dhe të dhënat mbi moshën mesatare të lagjeve kryeqytetase, për vitin 2022. “Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se cilat janë njësitë më të reja dhe më të vjetra, nga rezulton se Njësia 10, e njohur ndryshe si “Myslym Shyri” figuron si lagjia më e plakur e Tiranës, me moshë mesatare plot 44 vjeç. E dyta në renditje është Njësia 3 ose “Xhamlliku”, me moshë 41 vjeç, ndjekur nga “Tirana e Re” me moshë po 41 vjeç. Ndër lagjet e vjetra, ajo me moshën më të re të popullsisë është Njësia 11 ose “Lapraka”, me moshë mesatare 37 vjeç. Ndërkohë, mes të gjithave lagjeve të Tiranës, ku përfshihen edhe ato të reja, “Zall Herri” rezulton njësia me popullsinë më të re me vetëm 33 vjeç.
Ndërkaq, nga të dhënat e përpunuara rezulton se në raport me moshën mesatare të popullsisë së Tiranës 37,8 vjeç, 10 njësi administrative janë mbi këtë nivel, pra më “të plakura” dhe 14 njësi më “të reja”. Kështu, njësitë mbi mestaren e Tiranës (37,8 vjeç) rezultojnë: “Myslym Shyri” me moshë 44 vjeç, “Xhamlliku”,”Tirana e Re”, “Selvia dhe Gjimnazi Partizani” me moshë 41 vjeç, “Ali Demi”,”Qytet Studenti”, “21 Dhjetori”, “Don Bosko”,”Shëngjergj” me moshë 40 vjec dhe “Kinostudio” me moshë mesatare 39 vjeç.
Çfarë bie në sy është fakti se megjithësë në lagje si “Qytet Studenti”, “Tirana e Re”, “21 Dhjetori”, “Kinostudio”, “Don Bosko” është vendosur pjesa më e madhe e popullisë të Tiranës, serish këto njësi kanë një masë të konsiderueshme të popullatës të moshuar, çka ngre pikëpyetje mbi mundësitë e rigjenerimit të tyre në vitet në vijim. Nëse vijojmë më këto ritme ekziston mundësia që lagjet më të vjetra të Tiranës të shkojnë drejt plakjes dhe njësitë që po popullohen me shpejtësi gjatë viteve të fundit si “Kashar”, “Krrabë”, “Dajt”, Farkë”, të përthithin grupmoshën aktive të popullsisë. Sa më sipër vërtetohet nga fakti se njësitë administrative nën 37,8 vjeç janë “Kombinati”, “Lapraka”, “Baldushku”, “Berzhita”, “Ndroqi”, “Krraba” me mesatare 37 vjeç, “Petrela”, “Peza” dhe “Zall Bastari” me mesatare 36 vjeç, “Dajti”, “Farka”, “Kashari”, “Vaqarri” me mesatare 35 vjeç dhe “Zall Herri” me popullsinë më të re, në moshë mesatare 33 vjeç.
Pra, shifrat flasin qartë. Nëse popullsia e Tiranës do të vijojë më të njëjtat projeksione sikurse sot, 10-vjeçari i ardhshëm do t`i gjejë lagjet periferike të populluara dhe të rigjeneruara dhe lagjet e vjetra me popullsi thuajse dy herë më të plakura, çka përputhet dhe me tendencat e zhvendosjes së “Tiranasve” nga pallatet e vjetra paksa të amortizuar, drejt ndërtesave të reja të lokalizuara në zonat më periferike, me kushte jetese ndjeshëm më të përmirësuara. (shiko këtu)
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments