Ekonomi

Kush e vizitoi Shqipërinë këtë vit? 1 në 2, nga Kosova. 79 mijë serbë. Bangladeshi, Egjipti, India dhe Arabia Saudite, me rritje disa shifrore

0

Me pandeminë, shumë gjëra kanë ndryshuar rrënjësisht, e shumë aspekte të tjera janë ridimensionuar. Turizmi është padiskutim një prej sektorëve më të prekur. Shifrat më të fundit tregojnë se, turistët gjatë këtij sezoni veror i janë afruar ndjeshëm niveleve të vitit 2019, atë para pandemisë, por sërish janë rreth 289 mijë turistë më pak. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e turistëve të huaj gjatë periudhës janar-gusht, përgjatë 3 viteve të fundit, për të kuptuar se si ka ndryshuar gjeografia e turistëve që kanë vizituar vendin tonë.

Ajo që bie në sy qysh në krye të herës nga analiza e shifrave është fakti se 1 në 2 të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, ka qenë nga Kosova, ekzaktësisht 50% e totalit. Gjatë vitit të kaluar kjo shifër fiksohej në 49%, ndërsa para se të godisite pandemia, në 38%. Pra rritja është e ndjeshme, dhe turizmi shqiptar varet në masën 50% nga shqiptarët e Kosovës. Ky ndryshim rrënjësor është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pandemisë, dhe masave kufizuese që e kanë shoqëruar atë, pasi shifrat e dy viteve të pandemisë shënojnë rritjen e madhe krahasuar me vitin paraardhës.

Një tjetër vend në hartën globale që bie në sy nga ky ridimensionim i gjeografisë së turistëve që zgjedhin Shqipërinë është edhe Greqia. Në vitin 2019, para se pandemia të godiste, vizitorët nga Greqia zinin 8% të totalit, një vit më pas, 10%, ndërsa këtë vit, për periudhën janar-gusht, turistët nga Greqia zënë vetëm 3.5% të totalit. Pjesa dërrmuese e tyre janë shtetas shqiptarë me nënshtetësi greke, por pavarësisht kësaj, rënia është domethënëse.

E njëjta gjë si me Greqinë, vlen edhe për Italinë. Përpara pandemisë, vizitorët nga Italia zinin 7.1% të totalit, ndërsa këtë vit, vetëm 5.5% të totalit. Edhe këtu, si në rastin e Greqisë, një pjesë të konsiderueshme të vizitorëve e zënë emigrantët shqiptarë që jetojnë në vend.

Një rënie të lehtë regjistron edhe pesha e turistëve nga Maqedonia e Veriut, vetëm 10% këtë vit, nga 14% të vitit të kaluar, apo 11% që zinin në vitin 2019. Rënie të ndjeshme regjistron edhe Spanja, e cila thuajse është zhdukur nga “torta” e turistëve. Anglia, Gjermania dhe Zvicra, vende me emigracion të lartë të shqiptarëve regjistrojnë gjithashtu një rënie të ndjeshme në peshë.

Një tjetër ndryshim domethënës në shifra është edhe ai i turistëve nga vende të tjera, të cilat nuk specifikohen nga Instat, por që kanë humbur peshë mbi totalin, nga rreth 21% në vitin 2019, në rreth 18% këtë vit.

Cilët janë "të tjerët"?

Ky vit për turizmin ka qenë jo tipik, për shkak të ridimensionimit të shkaktuar nga pandemia, dhe për shumëkënd ajo që ka rënë në sy është ndryshimi i profilit të turistëve që kanë ardhur në vend, sidomos gjatë sezonit veror, ku në sy kanë rënë ata nga Serbia por edhe nga vendet e Lindjes së Mesme. “Scan Intelligence Unit” pas një informacioni shtesë të siguruar nga Instituti i Statistikave mbi hyrjet e shtetsave të huaj në vend, të cilët në publikimet zyrtare figurojnë si “të tjerë”, ka analizuar dhe përpunuar këto të dhëna, dhe rezultatet janë jo pak suprizuese.

79 mijë turistë nga Serbia vizituan vendin, 31 mijë më shumë

Sa turistë nga Serbia kanë vizituar vendin tonë gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti? Plot 79612! Në vitin 2019, atë para pandemisë, ishin rreth 48 mijë. Pra, janë rritur me 65.7%, ose me rreth 31 mijë individë, sinjalizojnë shifrat e siguruara nga Instat.

 

Rritje e ndjeshme nga Bangladeshi, India, Egjipti, A.Saudite, Pakistani

Tani, të shohim listën e të gjitha shteteve të botës nga kanë ardhur vititorë në vendin tonë gjatë këtij viti, për të kuptuar se cilat shtete regjistrojnë rritjen më të madhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në vend të parë gjejmë Bangladeshin, me 1152% rritje. Janë rreth 1678 shtetas nga ky shtet që kanë hyrë në vendin tonë gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, nga vetëm 134 që ishin në vitin 2019 gjatë së njëjtës periudhë kohore, apo nga vetëm 29 që ishin në 2020-ën. Për këta shtetas, në pjesën dërrmuese, nuk bëhet fjalë për turistë, por për punëtorë. Në vend të dytë në terma rritje gjejmë Haitin, me diçka më shumë se 1000%, por që shënojnë shifra të papërfillshme, vetëm 212 hyrje. Vendi i tretë mbetet një suprirzë. Shtetasit nga Egjipti që kanë vizituar vendin tonë gjatë 2020-ës, janë shtuar me 841%. Bëhet fjalë për një total prej 10101 shtetasish nga ky vend që kanë vizituar Shqipërinë përgjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, nga vetëm 1073 që ishin në vitin 2019, pra rreth 9 mijë më shumë. Edhe vendi i 4-tët në listën e shteteve me rritjen më të madhe të vizitorëve në Shqipëri, vjen surprizë. Në këtë pozicion gjejmë Indinë, me një rritje prej 566%. Bëhet fjalë për 9415 shtetas nga ky vend që kanë hyrë në vendin tonë në 8 muajt e parë të vitit, nga vetëm 1412 që ishin gjatë së njëjtës periudhë të 2019-ës. Ndjek në vend të 5-të Kuba, me një rritje prej 460%, nga 120 vizitorë në 2019-ën, në 672 vizitorë gjatë periudhës 8-mujore të 2021-shit. Dy shtete të tjera që bien në sy nga lista janë edhe Pakistani me Arabinë Saudite. Për të parën rritja është në 376%, për një total prej 1290 vizitorësh, ndërsa për Arabinë Saudite rritja është në 67%, për një total prej 9219 vizitorësh. Flukset e larta të turistëve nga vendet e Lindjes së Mesme, të perceptuara nga shumëkush që ka pushuar në bregdetin shqiptar këtë sezon veror, gjejnë mbështetje edhe në shifra, ku duket se pjesa dërrmuese kanë qenë turistë nga Egjipti, Arabia Saudite dhe nga Pakistani.

Rënie drastike nga vendet e Azisë jug-lindore

Po të shohim renditjen e vendeve të origjinës së vizitorëve në vendin tonë me ardhjen e pandemisë, ku rënia është më e madhe, bie në sy kryesisht Kina, ku rënia është drastike, nga 14933 vizitorë në 8-mujorin e parë të vitit 2019, në vetëm 899 të tillë në 8 muajt e parë të këtij viti. Edhe vendet e tjera të Azisë lindore dhe juglindore, si Malajzia, Australia, Japonia, Singapori apo Korea e Jugut regjistrojnë rënie drastike dhe janë në fund të tabelës. E njëjta gjë vihet re për Izraelin, nga 14450 vizitorë në 2019-ën, në vetëm 2872 këtë vit. Rënie të ndjeshme shënojnë dhe vizitorët nga vendet skandinave, kryesisht nga Norvegjia dhe Finlanda.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tkurret kreditimi gjatë gushtit. – Pas muajsh me radhë, bie huaja e re për blerje banesash, rritet ajo konsumatore

Postimi mëparshëm

Rezerva ndërkombëtare i afrohet rekordit, – Arrin në 4.14 mld euro, vlera më e lartë që prej Qershorit të 2020-ës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.