Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, niveli i borxhit të jashtëm në vendin tonë ka arritur shifrën e 616 miliardë lekë ose rreth 92 miliardë lekë më shumë se viti që lamë pas. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dallohet një rritje e ndjeshme e borxhit të jashtëm, pasi vitin e kaluar, Shqipëria e kishte ulur nivelin e huamarrjes me 4.5 miliardë lekë.
Borxhi i jashtëm i Shqipërisë ndahet në “Borxh Shumëpalësh”, që i referohet institucioneve kryesore huadhënëse dhe zë peshën më të madhe të huasë së marrë nga vendi ynë. Më pas, për nga renditja vjen “Borxhi Privat” dhe “Borxhi Dypalësh”, që është kryesisht kreditimi nga vendet partnere.
Insitucionet kryesore që kanë kredituar Shqipërinë
Vlera e borxhit që Shqipëria ka ndaj institucioneve huadhënëse arrin shifrën e 316 miliardë lekëve, deri në tremujorin e tretë të vitit 2020. Nivelin më të madh të borxhit, deri në periudhën e përmendur më sipër, vendi ynë e ka ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD). Në shifra konkrete borxhi ndaj këtij institucioni është rreth 27% e totalit të borxhit të jashtëm, ose afro 84 miliardë lekë. Institucione të tjera huadhënëse të mëdha janë: IDA, FMN, Banka Islamike për Zhvillim dhe BERZH.
Borxhi i jashtëm ndaj shteteve partnere
Totali i huasë së marrë nga vendet partnere gjatë vitit 2020 ka arritur shifrën e 91 miliardë lekëve. Huadhënësit më të mëdhenj janë: Italia dhe Gjermania, që zënë 64% të totalit të huasë ose afro 58 miliardë lekë në total.
Huadhënësit privatë
Kredidhënësit privatë zënë një pozicion shumë të rëndësishëm në nivelin e borxhit të jashtëm të Shqipërisë. Vlera e huasë së dhënë nga privatët arrin shifrën e 208 miliardë lekëve, ku EUROBONDI ka kredituar 83 % të totalit të borxhit të jashtëm, që është marrë nga privati.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments