Ekonomi

Kriza, bizneset “ulin qepenat”/ 25.5% më shumë subjekte të mbyllura në kryeqytet gjatë tremujorit të parë të vitit

0

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në kryeqytet rezulton të kenë “ulur qepenat” më shumë biznese se gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Janë 934 biznese të mbyllura, duke pësuar një rritje me 25.5%, krahasuar më të njejtën periudhë të një viti më parë kur rezulton të jenë mbyllur 744 biznese. Nga kjo panoramë duket se subjektet ekzistuese janë dekurajuar nga kriza që ka shkaktuar lufta në Ukrainë si dhe rritja e përgjithshme e çmimeve. Referuar të dhënave të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV), nga totali i bizneseve të mbyllura, 575 janë biznese kryesore, ndërsa 359 janë biznese sekondare. Shifrat paraqesin një rritje të bizneseve kryesore të mbyllura me 19.3%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 dhe një rritje të bizneseve sekondare të mbyllura me 37%. Nëse do t’i analizonim bizneset e mbyllura sipas aktivitetit, listën e kryesojnë shitjet me pakicë, ndjekur nga shërbimi. Në fund renditen shoqatat dhe fondacionet.

Nga ana tjetër, kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë nuk ka arritur të dekurajojë pronarët e rinj. Kështu, në kryeqytet janë shtuar 2,906 biznese të reja, duke regjistruar një rrijte me rreth 24%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021. Të dhënat tregojnë se nga këto biznese të hapura gjatë tremujorit të parë të vitit, 2,514 janë biznese kryesore, ndërsa 393 janë biznese sekondare. Subjektet e reja kryesore rezultojnë të jenë rritur me 22% ose 453 më shumë, krahasuar me subjektet e reja të hapura përgjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Nga ana tjetër, subjektet sekondare janë rritur me 37.9%. Referuar të dhënave pjesa më e madhe e bizneseve të reja janë njësi shërbimi dhe biznese të shitjes me pakicë. Numërohen 1,388 biznese të reja të tipit njësi shërbimi gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 dhe 621 biznese të tipit shitje më pakicë. Nëse do të flisnim për subjektet sekondare, numrin më të madh të subjekteve të reja e regjistrojnë bizneset që operojnë në transport, me 122 të tilla.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Sallameria”, një industri 100 mln euro/ Analiza dhe renditja e 20 kompanive, 7.6 mln euro fitime në total

Postimi mëparshëm

6 në 10 familje nuk kursejnë dot/ Vetëm 38% munden, me kursimet që shkojnë për pleqërinë dhe edukimin e fëmijëve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.