Të dhënat më të fundit nga Instat tregojnë se indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 104.8 pikë nga 104.0 pikë që ishte në 2019, duke shënuar një rritje me 0,8%. Ajo që bie në sy është rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit të produkteve bimore me 2% gjatë 2020-ës. Pra, ndërkohë që 2020 ka regjistruar një rritje rekord të çmimeve të konsumit për frutat dhe zarzavatet, deri në rritje dyshifrore, kjo rritje nuk duket të jetë e justifikuar nga ndryshimi i çmimeve të prodhimit. “Scan Intelligence Unit” ka kryqëzuar këto shifra me ato të çmimeve të konsumit. Indeksi i çmimeve të konsumit për frutat është rritur nga 98.3 pikë gjatë 2019-ës, në 113.3 pikë gjatë 2020-ës, pra me 15 pikë rritje, ndërkohë që indeksi i çmimeve të konsumit për zarzavatet është rritur në 102.5 pikë, nga 97.3 që ishtë në 2019-ën. Madje, për frutat ndryshim mesatar vjetor i inflacionit gjatë 12 muajve të vitit të kaluar ka qenë mbi 10%, ndërsa për zarzavatet rreth 5%. Ndërkohë për frutat, agrumet dhe rrushin, ndryshimi mesatar i çmimeve të prodhimit gjatë 2020-ës fiksohet në 5.2% rritje, sërish e pajustifikuar nga rritja e ndjeshme e çmimeve të konsumit për këtë kategori gjatë 2020-ës. Për perimet ndërkohë, ky hendek është edhe më i madh, duke qenë se indeksi i çmimeve të prodhimti të zarzavateve, me përjashtim të patates gjatë vitit të kaluar ka rënë me 1.4%. Për patatet rënia është thuajse në 30%. Duke qenë se, indeksi i cmimeve të konsumit i Instat për produktin e zarzavateve përfshin edhe pataten, bën që hendeku mes dnryshimit të cmimeve për kostot e prodhimit dhe ato të shitjes të jetë ndjeshëm më i madh se ç`tregojnë shifrat.
Ky kryqëzim i shifrave tregon qartë se gjatë 2020-ës, ndërkohë që kostot e prodhimit për produktet bimore, ku përfshihen frutat dhe zarzavatet, kanë rënë, ose janë rritur pak në rastin e frutave, çmimet për konsumatorin final janë shtrentjuar në mënyrë të shpërpjestuar.
Sa i përket indeksit të çmimeve të prodhimit për produktet blegtorale gjatë 2020-ës, shifrat zyrtare të Instat tregojnë se indeksi regjistrohet në rritje me 4.5%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments