“Vjetari Rajonal 2021”, i publikuar nga Instituti i Statistikave, mes shumë të dhënave të tjera, i referohet dhe shpenzimeve për konsum mujor të familjeve. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar ndryshimin vjetor të konsumit, sipas qarqeve, për të kuptuar se si ka ndikuar viti i pandemisë për këtë tregues. Të dhënat mbi ndryshimin e konsumit, nga viti 2019-të në vitin 2020, për Shqipërinë, tregojnë një rritje prej 1.5%. Nga një panoramë e përgjithshme, shifrat tregojnë po ashtu se në asnjë qark nuk është vënë re rënie e konsumit. Rritjen më të madhe të konsumit për vitin 2020 e regjistron qarku i Elbasanit, me 7%, ndjekur nga qarku i Dibrës, me 4.9% dhe qarku i Gjirokastrës, me 4.3%. Po cilat janë qarqet me rritjen më të ulët? Durrësi është qarku me rritjen më të vogël të nivelit të konsumit. Për këtë qark rritja, nga viti 2019-të në vitin 2020, regjistrohet në 0.2%. Po ashtu, Tirana është ndër qarqet me rritjen më të ulët të konsumit, deri në 0.3%. Nga ana tjetër, Fieri regjistron po të njejtin ndryshim si kryeqyteti, duke pësuar rritje të konsumit më 0.3%. Duke marrë parasysh ndikimin që ka paga në konsum, rritja e këtij treguesi në të gjitha qarqet e Shqipëisë mbështet dhe nga të dhënat mbi ndryshimin e pagës. Rikujtojmë se shifrat tregojnë që për vitin 2020, paga mesatare krahasuar me vitin 2019-të është rritur me 2.4%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments