Ekonomi

Konsumatorët rikthehen pesimistë/ BSH: Rritet me 2 pikë besimi në ekonomi, por bie besimi i konsumatorit. Ndërtimi pranë rekordit historik

0

Ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në terren pozitiv edhe për muajin qershor, raporton Banka e Shqipërisë. Kështu, të dhënat nga institucioni, në vrojtimin më të fundit të biznesit dhe atë konsumator (VBBK), tregojnë për një rritje të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike (TNE) me 2 pikë dhe regjistrohet në nivelin e 109.8. Kjo rritje e këtij treguesi ndodh për të dytën herë në këtë vit, ku lë të rikujtojmë se përgjatë majit rritja fiksohej në 4.6 pikë përqindje. Shifrat sinjalizojnë se kjo rritje është nxitur nga përmirësimi i besimit në biznes, sektorë të industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Megjithatë, mes të tjerave, vrojtimi thotë se rritja paraqitet më e përmbajtur gjatë qershorit për shkak se besimi i konsumatorëve dhe besimi i bizneseve në sektorin e tregtisë paraqiten më rënie për qershorin.

Treguesi i Besimit Konsumator shënon rënie me 0.7 pikë përqindje dhe kjo rënie ka bërë që ky tregues të frenojë prirjen rritëse që kishte muajin e kaluar. Kjo situatë bën që Treguesi i Besimit Konsumator të mbesë nën mesataren e vetë historike. Rënia u ndikua nga pritjet më pesimiste për situatën ekonomike në vend, si dhe vlerësimet më pesimiste për blerjet në shuma të mëdha, aktuale dhe të pritura, kjo edhe për shkak të rritjes së çmimeve në vend. Theksojmë se norma e inflacionit për muajin maj ka regjistruar rekord historik në dy dekada duke u ngjitur në 6.7%.

Ndërkohë, treguesi me rritjen më të lartë ndër treguesit e tjerë për qershorin është Treguesi i Besimit të Industrisë, me 8.1 pikë. Raporti i vrojtimit të Bankës së Shqipërisë tregon se rritja për këtë tregues ka konfirmuar një moment pozitiv referuar edhe tendencës që ka patur muajt e fundit.

Rritje të ndjeshme gjithashtu regjistron edhe Treguesi i Besimit në Ndërtim ndikuar nga vlerësimet optimiste për aktivitetin ndërtues. Rritja për muajin qershor sa i përket këtij treguesi regjistrohet në 7.3 pikë dhe sipas raportit kjo rritje ka arritur maksimumin e vet historik.

Me rritje po ashtu paraqitet edhe Treguesi i Besimit në Shërbime me 1.2 pikë përqindje. Raporti thekson se rritja u ndikua si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit ashtu edhe nga ai i kërkesës. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e çmimeve që do të vendosin në të ardhmen kanë pësuar rënie krahasuar me muajin e kaluar, por ato vijojnë të mbeten mbi mesataren e vet historike.

Sa i përket Treguesit të Besimit në Tregti, paraqitet me rënie për muajin qershor tregojnë të dhënat e vrojtimit nga Banka e Shqipërisë. Rënia fiskohet në 0.8 pikë përqindje dhe vjen pas përmirësimit që ky treges kishte shënuar gjatë muajit maj të po këtij vit. Në terma të komponentëve të TBT-së, rënia është përcaktuar si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ashtu edhe ai i pritjeve për nivelin e punësimit.

TREGUESI I NDJESISË EKONOMIKE (TNE)

TREGUESIT E BESIMIT SIPAS SEKTORËVE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet, shqiptarët në rrezik varfërie/ OKB: Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara. Lekë në dorë në formë ndihme, jo subvencionim të energjisë

Postimi mëparshëm

Inflacioni, në 7.4%/ Rritja e çmimeve “thellohet” gjatë qershorit, arrin rekorde të reja

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.