Ekonomi

Karburantet, rekord importesh gjatë 2020-ës! Shifra justifikohet me “Ballshin” dhe rënien e çmimeve në bursa

0

Të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sa i përket importit të mallrave të akcizës gjatë vitit të kaluar nxjerrin në pah disa shifra mjaft interesante, të cilat ja vlejnë të analizohen. Një ndër to është edhe shifra e importit të karburanteve. Bëhet fjalë për një total prej rreth 533 mijë tonësh, që përkthehet në rekordin më të lartë historik që prej vitit 2012, deri kur të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave janë publike. Krahasuar me vitin 2019, rritja fiksohet në masën 2.3%. Madje, po të shohim të dhënat e institutit të statistikave, kur në kategorinë e hidrokarbureve klasifikohen dhe disa nën grupe të tjera, kemi të bëjmë me rekordin më të lartw në histori.

Por, ndryshe nga vitet e tjera, 2020 ka qenë ai i pandemisë dhe i një bllokimi thuajse total në disa segmente të tij. Muajt e bllokimit të madh, mars-maj, rrjedhimisht kanë çuar në një rënie drastike të konsumit të karburantit për shkak të ndalimit të lëvizjes. Por, edhe më tej gjatë vitit, transporti ka qenë një prej sektorëve më të prekur nga kriza, e vazhdon të jetë. Pra, si shpjegohen këto shifra? Si ka mundësi që gjatë vitit të pandemisë, atij të ndalimit në masë të lëvizjes për qytetarët, por edhe për bizneset, importi i naftës ka prekur shifër rekord në vendin tonë? “Scan Intelligence Unit” ka hulumtuar në lidhje me këtë tendencë, në dukje të çuditshme. Mesa duket, arsyeja kryesore lidhet me ndalimin e punës së rafinerisë së Ballshit, që prej muajve të fundit të vitit 2019, çka ka hequr një pjesë të konsiderueshme nga tregu i konsumit të karburanteve, duke nxitur shifra më të larta importi. Gjatë viteve të fundit, nafta vendase e përpunuar vlerësohet se mbulon rreth 30-40% të konsumit. Një tjetër arsye që mund të ketë ndikuar është edhe ajo e rënies drastike të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë periudhës prill-maj të vitit të kaluar. Kjo rënie ka nxitur kompanitë që operojnë në vendin tonë që të blejnë sasi të mëdha, paçka se konsumi në vend ishte minimal, duke krijuar stok. Madje, gjatë muajve të paralizës totale të ekonomisë dhe të lëvizjes, vihet re se importet e naftës kanë pësuar një rënie jo aq të madhe sa mund të pritej.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia redukton veset e shqiptarëve! Shifrat e doganave: Kafja, birra dhe cigaret, rekord minimal importesh gjatë 2020-ës

Postimi mëparshëm

“Gjoba” ruse, 1.45 mln euro dëm Shqipërisë! Dyfishimi i taksës së grurit, Rusia, importuesi më i madh i drithërave në vend

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.