Ekonomi

“Ka një pako për ty”, industria me vlerë 2 mld lekë/ Fitime neto që variojnë nga 4%-6%

0

“Scan Intel” vijon analizën në bllok të tregjeve të caktuara, këtë herë me sektorin e shërbimeve postare dhe delivery. Ky cikël ka nisur fillimisht me laboratorët mjekësore private, spitalet, vijoi me atë të supermarketeve, ujit të pijshëm, industrinë e librit, automjeteve, sallamerisë dhe bulmetit etj. Për t’u rikthyer te biznesi i shërbimeve postare private, kemi marrë në analizë disa prej kompanive më të mëdha në vend që operojnë në këtë sektor, sa i përket të ardhurave.

Në analizë përfshihen 12 kompani, të ardhurat e të cilave të marra së bashku përafërsisht arrijnë në vlerën e 2,1 mld lekëve, ose rreth 17,8 milionë euro. Në këtë shifër mungon “Sky Net” dhe “Albanian Parcel Distribution”, bilancet e të cilave nuk janë përfshirë për periudhën e plotë 4-vjecare, por pjesërisht. Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2020, rezulton se “DHL” është kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 721 milion lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2020-ës, duke e pozicionuar në vend të parë, ndër 12 të tilla që janë marrë në studim. “Ulysses” është në vend të dytë, të ardhurat e të cilës për vitin 2020 llogariten në 426 milion lekë, duke e renditur atë të dytën në listën e 12 kompanive të specializuara në shërbimet postare me të ardhurat më të larta vjetore.

“IMLS”, “Albanian Delivery Express”, “United Transport”, “Albanian Courier”, “T.N.T” janë pesë kompanitë e tjera që plotësojnë shtatë vendet e para, përkatësisht 264 mln lekë të ardhura për “IMLS”, 199 mln lekë të ardhura për “Albanian Delivery Express”, 196 mln lekë për “Uni Trans”, 106 mln lekë për “Albanian Courier” dhe 103 mln lekë për “T.N.T”.

Sa i përket fitimit neto, është “ULYSSES” kompania që mban vendin e parë. Rreth 46 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2020-ën. “IMLS” dhe “DHL” renditet në vend të dytë, me 31 mln lekë dhe 30 mln lekë dhe “Albanian Delivery Express” me 12 mln. Në total, kompanitë e marra në analizë kanë raportuar gjatë 2020-ës rreth 109 milionë lekë fitime neto, ose 913 mijë euro. Ndërkohë fitimi mesatar neto i të 12-të kompanive rezulton në 9,1 milionë lekë për vitin 2020.

Në rastin e të ardhurave të industrisë, rritja tenton të jetë e dukshme për katër vjecarin e marrë në shqyrtim, ndërkohë që jo të njëjtën gjë mund të themi për fitimet e tyre, jo shumë të qëndrueshme. Ndërkohë që për katër kompanitë në krye të listës duket se ka pasur një rritje të fitimeve dhe të ardhurave, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për subjektet me përmasa më të vogla të cilët kanë pësuar renie të fitimit neto, madje kanë rezultuar dhe me humbje, kryesisht përgjatë vitit 2019-2020.

Sa i përket përqindjes marxhinale të fitimit, analiza e bilanceve të këtyre kompanive tregon se mesatarisht për të katër vitet e marra në analizë, kjo normë ngjitet nga 4%-6%, referuar periudhës 2017-2020.

Nëse do t`i referohemi industrisë së sherbimeve postare dhe delivery në total, për vitin 2020 të ardhurat gjithëpërfshirëse për 12 kompanitë e marra në shqyrtim, kapin vlerat e 2,1 mld lekëve, 1,6 mld lekë për vitin 2019, 1,5 mld lekë për vitin 2018 dhe 1,4 mld lekë për vitin 2017, çka sinjalizon se është një industri stabël nga viti në vit. Bazuar sërish mbi të dhënat e deklaruara në pasqyrat financiare të këtyre subjekteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për periudhën 2017-2020, e ardhura neto e industrisë arrin vlerat 109 mln lekë, 84 mln lekë, 88 mln lekë dhe 60 mln lekë respektivisht për vitet 2020, 2019, 2018, 2017.

Nese do të bejmë një raport të fitimit neto ndaj të ardhurave gjithëpërfshirëse, rezulton se përqindja marxhinale e fitimit të industrisë është 5% për vitin 2020, ndjekur nga 5% për vitin 2019, 6% për vitin 2018, 4% për vitin 2017.

Këto të dhëna i atribuohen shifrave të grumbulluara nga QKB për 12 prej kompanive më të mëdha të kësaj industrie të marra në analizë nga “Scan Intel”.


*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri ajri “vret”/ Eurostat: 1,486 vite jetë të humbura për 100 mijë banorë, dy herë më shumë se mesatarja e BE

Postimi mëparshëm

Dëshira për përfitim nxit formalizimin e fermerëve/ 28.3% më shumë se në vitin 2020, Dibra shënon rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.