Ekonomi

Jemi mes 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në botë/ Rast unik, renditemi krah shteteve me PBB për frymë 14 herë më të lartë se ne

0

Shqipëria është një prej 10 vendeve më naftën më të shtrenjtë në botë tregojnë të dhënat e përditësuara nga `Global Petrol Prices`. Sipas renditjes, vetëm 9 shtete të tjera në botë kanë një çmim nafte për konsumatorin final më të lartë se Shqipëria, dhe ato janë: Zvicra (në nivele thuajse të njëjta me ne), Britania e Madhe, Danimarka, Monako, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Suedia, Hong Kongu. Mes 30 vendeve të para të listës nuk gjen thuajse asnjë shtet në nivelin e Shqipërisë, me një Prodhim të Brendshëm Bruto për frymë të ngjashëm. Mjafton përmendja e 10-tëshes së parë të shteteve me naftën më të shtrenjtë në botë për të kuptuar këtë. Nga ana tjetër, shtete si Gjermania, Franca, Austria, Belgjika, Italia, Luksemburgu, Singapori, Spanja, Portugalia ofrojnë një çmim nafte për qytetarët dhe bizneset më të ulët se Shqipëria. Për pjesën më të madhe të shteteve të sipërpërmendura, paga mesatare është deri në 11 herë më e lartë se në vendin tonë.

“Scan Intel” i ka kryqëzuar çmimet e naftës sipas shteteve edhe me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të secilit prej tyre. Nga ky kryqëzim të dhënash rezulton se, Shqipëria është rast unik në botë. Mes 10 vendeve të para të listës, mesatarja e PBB për frymë të tyre fiksohet pranë $72 mijë, ndërkohë që në Shqipëri, PBB për frymë fiksohet në $5,215, pra 14 herë nën mesataren e këtyre shteteve. Mes 20 vendeve të para të listës ndërkohë, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë mesatar fiksohet në $52 mijë, çka do të thotë se çmimi i naftës në Shqipëri është pranë niveleve të vendeve që kanë një Prodhim të Brendshëm Bruto për frymë 10 herë më të lartë se vendi ynë. Edhe ilustrimi grafik e tregon më së miri se Shqipëria është një rast tërësisht i veçuar në renditjen e shteteve me çmimin më të lartë të naftës në botë, po të kemi parasysh madhësinë e ekonomisë së secilit.

Çmimet e shprehura në grafik janë në Lekë për të gjitha shtetet, për të pasur një panoramë edhe më të qartë. Me një çmim të naftës prej 258 lekësh për litër, Shqipëria renditet e 10-ta në botë, krah Zvicrës së vendit të 9-të, që ofron një çmim vetëm 0.25 lekë më të lartë. Hong Kongu, Suedia dhe Norvegjia ndërkohë janë 3 vendet e para në botë sa i përket çmimit të naftës. Nga krahu i kundërt i tabelës kemi të renditura vendet prodhuese të naftës, si Irani, me një çmim prej vetëm 1.2 lekësh për litër, Venezuela me 2.5 lekë për litër dhe Libia me 14.9 lekë për litër.

Çmimi i naftës në vendin tonë ka prekur një rekord të ri historik, pavarësisht se bordi i transparencës së çmimeve të hidrokarbureve u ngrit pikërisht për të mbajtur nën mbikqyrje çmimin dhe abuzimet. Rritja e ndjeshme e çmimeve të hidrokarbureve, dhe kryesisht të naftës ka sjellë një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë, duke shtrenjtuar ndjeshëm çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Rreth 75% e automjeteve që qarkullojnë në vend punojnë pikërisht me naftë. Gjatë majit, inflacioni preku gjithashtu një rekord të ri, pranë 6.7%, niveli më i lartë në më shumë se 2 dekada.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet ulin konsumin e karburantit/ Bien shitjet me 3.9% në mars, ushqimet dhe grupet e tjera në rritje

Postimi mëparshëm

1 në 2 persona jetojnë ngushtë/ Eurostat: Shqipëria e dyta në Europë me përqindjen më të lartë të popullsisë në familje të mbipopulluara

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.