COVID-19

Janë vaksinuar 36% e +60 vjeçarëve. Norma ngjitet deri në 50% për grupmoshën mbi 65 vjeç

0

Deri ditën e Enjte, më 15 prill, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale raportonte për rreth 294,169 doza vaksinash të administruara në popullatë, prej të cilave rreth 216,947 për ata mbi 60 vjeç. Por sa është realisht norma e vaksinimit, pra sa janë vaksinuar nga kjo grupmoshë? “Scan Intelligence Unit” ka kryqëzuar këto të dhëna me ato të institutit të statistikave sa i pëket popullsisë sipas grupmoshave. Grupmosha mbi 60 vjeç përfaqësohet nga rreth 605 mijë individë, sipas Institutit tonë të statistikave. Kjo do të thotë se, deri më tani, janë vaksinuar 35.8% e kësaj grupmoshe, pra diçka më shumë se 1 në 3. Duhet të kemi parasysh se kjo normë është e përafërt, pasi një pjesë e tyre mund të kenë marrë edhe dozën e dytë. Por, gjithsesi, kjo shifër vlerësohet të jetë mjaft e ulët, duke pasur parasysh se nga doza e parë në të dytën duhet të kalojë rreth një muaj. Vetëm moshat mbi 90 vjeç vlerësohet të kenë arritur deri te doza e dytë, por duke qenë se kjo grupmoshë ka një përfaqësim të ulët mbi totalin, edhe ndikimi në normën e përgjithshme vlerësohet se do të ishte mjaft i ulët. Një tjetër faktor që mund të ketë ndikim në këtë normë është edhe ai se shifrat e popullsisë sipas grupmoshës, pavarësisht se i referohen vitit 2020, rrjedhin nga censusi i vitit 2011, pra 10 vite i vjetër.

Në llogaritje është klasifikuar edhe grupmosha 60-65 vjeç, e cila gëzon të drejtën e vaksinimit vetëm për të sëmurët kronik. Kjo grupmoshë përfaqësohet në total me 185 mijë individë, duke zënë peshën më të madhe. Në rast se do ta hiqnim këtë grupmoshë nga llogaritja jonë, duke mos ditur sa të sëmurë kronikë ka ndër ta, dhe sidomos duke mos qenë tërësisht transparent mekanizmi i klasifikimit të të sëmurëve kronik, atëherë norma e vaksinimit do të na rezultonte në 51.65%, pra ndjeshëm më e lartë. Gjithsesi, në vlerësimin më optimist, duket se jo më shumë se gjysma e të moshuarve janë vaksinuar, duke llogaritur këtu edhe faktin se një pjesë e vogël prej tyre kanë marrë nga dy doza.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia u sjell shqiptarëve më shumë lekë në “portofol”. Pakësohen 200 lekëshat shtohen kartëmonedhat 5000 lekëshe

Postimi mëparshëm

Pandemia pasuroi më shumë të pasurit. Depozitat mbi 2.5 mln lekë u rritën me 6.2%, ato nën 2.5 mln, me 4.5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.