Ekonomi

Instituti i Vienës për ekonominë shqiptare/ Projeksionet, më optimiste se ato të BB. Ekonomia u rrit me 8.2% vjet, do rritet me 4.2% këtë vit

0

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar projeksionet më të fundit për vendet e Europës qendrore, lindore dhe juglindore, mes të cilave gjendet edhe vendi ynë. Sa i përket vitit aktual, projeksionet për rritjen ekonomike flasin për një normë pranë 4.2%, aq sa parashikohet rritja mesatare e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, kjo normë është në rënie krahasuar me parashikimin e fundit të institucionit, që daton në muajin tetor të vitit të kaluar, dhe që fiksohej pranë 4.5%. Sa i përket vitit të ardhshëm, projeksionet flasin për një normë rritje ekonomike pranë 4%, lehtë mbi mesataren e parashikuar të rajonit. Ndërkohë, për sa i takon vitit të kaluar, Instituti i Vienës sinjalizon një normë rritje të ekonomisë pranë 8.2%, nga 6.4% që projektonte në muajin tetor, si dhe 1.2 pikë përqindje mbi mesataren e rajonit. Nga ana tjetër, këto projeksione rezultojnë më të larta se ato të bankës Botërore, të publikuara në fillim të këtij viti. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare u rrit me 7.2% vitin e kaluar, ndërkohë që pritet të rritet me 3.8% këtë vit, dhe 3.7% vitin e ardhshëm.

Sa i përket normës së inflacionit ndërkohë, ajo parashikohet pranë 2.9% këtë vit, mbi vlerësimet e vitit të kaluar, çka sinjalizon një rritje edhe më të madhe të çmimeve. Norma e inflacionit ndërkohë, projektohet të zbresë në 11.1%, nga 11.3% që vlerësohej gjatë vitit të kaluar.

Sa i përket vendeve të rajonit të gjerë ndërkohë, Instituti i Vienës parashikon një normë rritje të ekonomisë pranë 3.2% këtë vit, ose 2.5 pikë përqindje nën nivelin e rritjes së vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e problemeve me të cilat pritet të përballen ekonomitë e Rusisë dhe të Turqisë. Ekonomia e Kosovës vlerësohet të jetë rritur me një normë pranë 8.8% vitin e kaluar, ndërkohë që projektohet të rritet pranë 4.3% këtë vit, sinjalizon Instituti i Vienës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Transporti, ende larg parakrizës/ Pasagjerët në rënie krahasuar me 2019-ën, por rriten mallrat

Postimi mëparshëm

Energjia e rinovueshme, 45% e totalit/ Eurostat: Shqipëria e para në rajon, vetëm transporti zhgënjen

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.