Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, që i referohen Produktit të Brendshëm Bruto me vlerësime finale për vitin 2018 dhe gjysmë-finale për vitin 2019, bëjnë me dije se gjatë vitit 2019 ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje me 2.11% krahasuar me vitin 2018 dhe jo me 2.21% që ishte rezultati vjetor i publikuar nga INSTAT në vitin 2020. Produkti i Brendshëm Bruto i vendit gjatë vitit 2018 shënon një rritje vjetore prej 4.02%, pra rritje më të lartë se ajo e vitit 2019. Po të flasim rreth PBB me çmime korrente në vitin 2019 dhe 2018 shohim se gjatë 2019-ës është vlerësuar 13.7miliardë Euro një shifër më e lartë se ajo e vitit 2018, e cila regjistrohet në 12.8 miliardë Euro.
Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2019 ky tregues është vlerësuar në 593 mijë lekë ose 4,819 euro, ndërkohë që gjatë vitit 2018 kjo shifër ishte 571 mijë lekë ose e përkthyer në euro 4,476 euro.
Nëse do të shihnim strukturën e PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2019 e regjistrojnë “Shërbimet”, gjithsej me 48,4%, duke shënuar një rritje në terma realë me 3,79%, “Industria dhe Ndërtimi” përbëjnë 20,6% të PBB-së. Industria dhe Ndërtimi janë rritur në terma realë përkatësisht: Industria me 3,04% dhe Ndërtimi me 2,21%. Gjithashtu aktivitete që zenë një peshë të konsiderueshme në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto janë edhe “Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi”, të cilat zënë 18.4% të PBB-së.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments