Inflacioni është ngadalësuar lehtë gjatë tetorit të këtij viti, krahasuar me një muaj më parë. Kështu, norma e inflacionit gjatë tetorit fiksohet në 2.4%, nga 2.5% që ishte gjatë muajit paraardhës, duke qetësuar disi situatën në lidhje me alarmin e rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga instituti i statistikave në lidhje me indeksin e çmimeve të konsumit, krahasuar me shtatorin, çmimet rezultojnë të jenë vetëm 0.1% më të larta. Sa i përket ndikimit në normën e inflacionit sipas grupeve kryesore, sërish “ushqimet dhe pijet joalkoolike” janë në vend të parë, duke dhënë një kontribut prej 1.33 pikë përqindje. Transporti ka ndikuar me 0.36 pikë përqindje, dhe “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” me 0.24 pikë përqindje. Vetëm grupi “mallra dhe shërbime të ndryshme” ka dhënë një kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë tetorit, me -0.03 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, sa i përket ndryshimit të çmimeve gjatë tetorit të këtij viti, krahasuar me tetorin e një viti më parë, sipas grupeve kryesore, vëmë re se “transporti” është në vend të parë në terma rritje, me 6.8%. Ndjekin “ushqimet dhe pijet joalkoolike” me 3.9% dhe në vend të tretë gjejmë “komunikimin”, me 3.2% rritje vjetore të çmimeve. “Shërbimi arsimor”, “shëndeti” dhe “mobilje, pajisje shtëpie” janë grupet që regjistrojnë rritjen më të vogël vjetore të çmimeve, me më pak se 1% shtrenjtim, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave.
“Scan Intelligence Unit” ka zbërthyer ecurinë e çmimeve për kategorinë e ushqimeve, për të kuptuar se si janë rritur çmimet vetëm për këtë kategori, edhe sipas produkteve kryesore. Kështu, shifrat tregojnë se ushqimet në tetor të këtij viti kanë qenë 4.1% më të shtrenjta se tetori i vitit të kaluar. Rritjen më të madhe e regjistrojnë vajrat, me 7.7%. Më pas ndjekin frutat, 6.9% më të “kripura”, si dhe buka, 5.8% më e shtrenjtë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Edhe “sheqeri dhe ëmbëlsirat” rezultojnë të “kriposura”, me 4.7%, ndërkohë që perimet rezultojnë 3.6% më shtrenjtë.
Sa i përket grupeve të tjera, nuk vihen re luhatje të mëdha në çmime krahasuar me vitin e kaluar.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments