Ekonomi

Inflacioni “zbraz” portofolin e shqiptarëve! Ushqimet, veshjet dhe servisi i makinave me rritjen më të madhe të çmimeve gjatë gushtit

0

Kapërcimi i inflacionit pranë nivelit të 2.4% gjatë gushtit, pavarësisht se sinjalizon një afrim ndaj objektivit të Bankës së Shqipërisë, pranë 3%, tregon se rritja nuk është aspak e njëtrajtshme mes grupeve të ndryshme të konsumit. Edhe më shqetësues mbetet fakti se, rritja vihet re në disa grupime mjaft të ndjeshme në shportën e konsumit, çka e shoqëruar me një rritje minimale të pagave, përkthehet në një rënie të standardit të jetesës. Ushqimet vijojnë të shtrenjtohen me ritme të ndjeshme. Në gusht të këtij viti, çmimet kanë qenë 4.9% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo është rritja më e madhe vjetore që prej tetorit të vitit të kaluar, kur çmimet e ushqimeve shtrenjtoheshin me 5.2% në terma vjetorë. Madje, edhe mes vetë ushqimeve, rritja e çmimeve nuk është e njëtrajtshme. Zarzavatet regjistrojnë një rritje me 18.3% krahasuar me gushtin e një viti më parë, që është gjithashtu rritja më e madhe që prej tetorit të vitit të kaluar, kur çmimet e këtij grupimi ishin 18.5% më të shtrenjta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Zarzavatet ndiqen nga vajrat dhe yndyrnat, 7.2% më të shtrenjta se gushti i një viti më parë. Frutat ndërkohë, rezultojnë 4.25% më të “kripura”.

Përtej ushqimeve ndërkohë, janë disa kategori të tjera të cilat janë shtrenjtuar ndjeshëm gjatë gushtit. Zarzavavet dhe yndyrnat pasohen në listën e grupimeve me rritjen më të madhe të çmimeve, nga servisi i makinave. Ky shërbim gjatë gushtit rezulton të ketë qenë 6.2% më i shtrenjtë se gushti i një viti më parë. Madje, gushti shënon muajin e 4-t me radhë me inflacionin në territor pozitiv, pas 14 muajsh me radhë në rënie. Me pandeminë, çmimet e këtyre shërbimeve pësuan një rënie të ndjeshme, deri në maj të këtij viti, kur filloi kthesa, e cila kulmoi me gushtin, ku çmimet regjistrohen në rritje me 6.2% në terma vjetorë.

Një tjetër kategori ku çmimet janë rritur ndjeshëm gjatë gushtit është edhe ajo e veshjeve për burra, me 2.96% rritje krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave, të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”. Në tërësi, çmimet e veshjeve gjatë gushtit janë rritur me 0.8% në terma vjetorë, që është edhe rritja më e madhe që prej gushtit të vitit 2018.

Nga të gjitha grupimet, vetëm 4 prej tyre regjistrojnë rënie të çmimeve gjatë gushtit, kundrejt gushtit të 2020-ës, dhe ato janë: këpucë për burra, veshje për fëmije, blerje mjetesh transporti dhe këpucë për fëmijë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia “gropos” hotelet në Tiranë, – Fitimet dhe të ardhurat bien deri në 6000%, vetëm “MAK Albania” me fitim

Postimi mëparshëm

“Biznesmenët” e listave. “LSI” me 25.5% të kandidatëve, sipërmarrës, PD me 20.3%, PS me “vetëm” 18.9%. Tregtia dhe ndërtimi, “specialiteti” i deputetëve të ardhshëm. Në Vlorë, 35% e kandidatëve kanë një biznes

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.