Ekonomi

Inflacioni vijon të “mashtrojë” tregtinë e jashtme/ Instat: Import-eksport rriten me 44.4% dhe 36.3%. Por, në peshë, rritja, 5 herë më e ulët

0

Të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme, për muajin nëntor tregojnë se eksportet arritën në 37 miliardë lekë, në rritje me 36.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importet arritën në 81 miliardë lekë, në rritje me 44.4% në terma vjetorë. Në terma mujorë ndërkohë, importet regjistrohen në rritje me 9.8%, ndërsa eksportet me 5%. Por, ashtu si në dy muajt paraardhës, shifrat e tregtisë së jashtme vijojnë të mashtrohen nga inflacioni. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar këto shifra duke parë ndryshimin vjetor në eksport dhe import sipas grupmallrave, në peshë dhe në vlerë. Për importet, rritja mesatare vjetore në vlerë fiksohet në rreth 44%, ndërkohë që në peshë, rritja është vetëm 8.9%. Pra, rritja e vëllimit tregtar në import, në peshë ka qenë gati pesë herë më e ulët se ajo në vlerë, çka tregon më së miri efektin e inflacionit. Po të shohim shifrat e eksporteve, kjo dukuri është edhe më e theksuar. Ndërkohë që eksportet janë rritur me 36.3% në vlerë gjatë nëntorit, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, në peshë, ato kanë rënë me 14.1% krahasuar me një vit më parë. Pra, në terma volumi, eksportet shqiptare gjatë nëntorit kanë qenë më të ulta se nëntori i 2020-ës.

Por, cilat janë grupmallrat që kanë regjistruar edhe rritjen më të madhe në import gjatë nëntorit, në vlerë? Lëndët djegëse minerale dhe energjia elektrike, me 287%. Rritje të ndjeshme regjistrojnë edhe materialet e ndërtimit. Në drejtim të eksporteve ndërkohë, rritjen më të madhe e regjistrojnë materialet e ndërtimit dhe produktet kimike. Kujtojmë se gjatë nëntorit inflacioni në vendin tonë kapërceu nivelin e 3%, duke rritur ndjeshëm frikën e presioneve të shtuara inflacioniste, paçka se Banka e Shqipërisë ka deklaruar shpeshhehrë se ky efekt është thjesht momental.

Nga ana tjetër, sa i përket shteteve, në import vihet re një rritje e ndjeshme e volumeve tregtare me vende të “treta”, si Azerbaixhani, Korea e Veriut, Kazakistani, Arabia Saudite, etj. Ndër vendet partnere ndërkohë, në vend të parë në terma rritje, me thuajse 300% gjejmë Zvicrën. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë regjistrohen që të 5-ta në një rritje, nga 96.7%, deri në 267.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intelligence Unit”. Por edhe këtu, duhet t`i analizojmë të dhënat, të “zhveshura” nga efekti i inflacionit, ku vëmë re se vetëm me Malin e Zi dhe me Kosovën importet janë rritur në peshë, ndërkohë që për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën, shifrat janë në rënie të ndjeshme, paçka se në vlerë vihet re një rritje. Sa i përket eksporteve ndërkohë, vihet re një rritje në peshë vetëm për Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë, ndërkohë që Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistrohen në rënie në terma vjetorë, paçka se në vlerë, të pesta janë në rritje të ndjeshme.

Krahasimi i performancës së tregtisë së jashtme në vlerë apo peshë, nuk është tërësisht i saktë, pasi për disa grupmallra nuk ka vlerë pesha, por cilësia dhe tipologjia. Por, pavarësisht kësaj, ky krahasim jep një panoramë të zgjerimit real të tregtisë së jashtme, në një kohë që rritja e çmimeve “maskon” ecurinë e vertëtë.

Gjatë njëmbëdhjetëmujorit të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,3 %), Kosova (48,5 %) dhe Spanja (44,0 %), ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (18,9 %) dhe Rusia (9,6 %). Ndërkohë, sa i përket importeve, për 11-mujorin, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (28,4 %), Turqia (48,1 %) dhe Kina (20,7 %). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Ukraina (10,1 %).

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nëntori ul aksidentet rrugore/ Tirana dhe Durrësi qarqet me më shumë viktima

Postimi mëparshëm

Më shumë mjete rrugore në 2020-ën/ Rriten me 7.6% mjetet në qarkullim, “Benzi” vijon të mbetet “mbreti” i rrugës në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.