Ekonomi

Inflacioni sipas metodës Eurostat, në 6%/ Ndryshimet metodologjike arsyetojnë normën e ulët

0

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit rezulton 6% për muajin maj të këtij viti. Nërkohë, referuar Institutit të Statistikave mbi inflacionin, për muajin maj ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit rezultonte 6.7%. Kjo ecuri mund të shpjegohet si pasojë e mënyrës së mbulimit dhe burimit të të dhënave për shpenzimet, pra peshën që zë secili nga grupet. Kështu, referuar peshave në grafikun e mëposhtëm shohim se grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse, dhe energji” zë 19.3% të peshës së shpenzimeve kur masim ndryshimet e IÇK-së dhe po i njëjti grup zë 6.11% të peshës së shpenzimeve kur masim ndryshimin e IHÇK-së. Pra, këto rezultate referuar muajit maj të këtij viti vijnë kryesisht si pasojë e metodologjisë së përcaktuar për matjen e ndryshimit të çmimeve.

Shifrat sinjalizojnë se mesatarja e rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian për muajin maj është 8.8% dhe Shqipëria gjendet e renditur në vend të pestë nga fundi krahasuar me vendet e Europës. Vendet Baltike, Estonia dhe Lituania, edhe këtë muaj vazhdojnë të kryesojnë në listën e shteteve me rritjen më të lartë të çmimeve. Nga ana tjetër, në fund renditen vende si Zvicra dhe Islanda.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 13,3% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,4% dhe “Veshje dhe këpucë” me 2,1%. Me rritje po ashtu paraqiten grupe si “Argëtim dhe kulturë” me 1,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0%, “Shërbimi arsimor” me 0,9% dhe “Komunikimi” me 0,8%.

Në muajin Maj 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,8%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 2,3%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0,9%, pasuar nga “Hotele kafene dhe restorante” me 0,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” me 0,2% secili dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1%.

NDRYSHIMI VJETOR I IHÇK SIPAS SHTETEVE, MAJ 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Një shqiptar konsumon 2.5 herë më pak se një europian/ Indeksi i konsumit individual në 2021, zgjerohet hendeku me BE, jemi të fundit në kontinent

Postimi mëparshëm

Komisioni Europian, disa thirrje Shqipërisë: “Kujdes me çmimet dhe PPP, mbrojtja sociale dhe shëndetësia të pamundura për ata në nevojë, jo më për popullsinë e gjerë”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.