Inflacioni në vendin tonë ka “fluturuar” pranë niveleve rekord të larta të 2 dekadave të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, norma e inflacionit gjatë muajit qershor të këtij viti është ngjitur në 7.4%, nga 6.7% që ishte kjo normë gjatë muajit maj të këtij viti. Një vit më parë gjatë qershorit ndërkohë, inflacioni fiksohej pranë 1.6%. Pavarësisht rekordit të ri të inflacionit, shifrat zyrtare tregojnë se krahasuar me muajin maj, çmimet e konsumit në vendin tonë kanë rënë me 0.1%. Kështu, norma e inflacionit i është afruar edhe më shumë rekordit të regjistruar në muaji shkurt të vitit 2002, prej 7.6%. Në qershor të këtij viti rritja e çmimeve rezulton të jetë më e larta që prej marsit të vitit 2002.
Sa i përket ndikimit të grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të çmimeve dhe normën e inflacionit prej 7.4% të regjistruar gjatë muajit të fundit, në vend të parë, me kontributin më të madh gjejmë: “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4.38 pikë përqindje, ndjekur nga “Transporti”, me 1.53 pikë përqindje. Edhe çmimet e grupeve “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “mobilje, pajisje, shtëpie” regjistrojnë një ndikim të konsiderueshëm në normë e inflacionit gjatë qershorit. Asnjë prej grupeve nuk ka dhënë kontribut negativ.
Ndërkohë, sa i përket grupeve dhe nëngrupeve me rritjen më të madhe të çmimeve krahasuar me një vit më parë, në vend të parë gjejmë “transportin”, me çmimet 26.9% më të larta se qershori i vitit të kaluar, ndjekur nga “ushqime dhe pije joalkoolike”, 12.6% më të shtrenjta. Edhe “pijet alkoolike” si dhe sektori HORECA, pra hotele, kafene ristorante, regjistrojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, pranë rreth 5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave.
Sa i përket nëngrupeve ndërkohë, vëmë re se, brenda kategorisë së “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, vetëm ushqimet janë shtrentjuar me 13.2% në terma vjetorë. “Vajrat” rezultojnë 30.3% më të shtrenjta se një vit më parë, “buka dhe drithërat” rreth 19.1% më të shtrenjta, “qumështi, djathi dhe vezët” rreth 18.5% më të shtrenjta, mishi 9% më i shtrenjtë, “sheqernat” 14.3% më të shtrenjta, dhe zarzavatet rreth 10.3% më të shtrenjta. Duket se ndër kategoritë e ushqimeve, vetëm frutat nuk janë bërë më të “kripura”, pasi krahasuar me 12 muaj më parë, çmimet e frutave rezultojnë vetëm 0.4% më të shtrenjta. Për “vajrat” dhe “bukën me drithërat” asnjëherë ma parë, të paktën që prej vitit 2017 nuk është regjistruar një nivel inflacioni kaq i lartë. Nga ana tjetër, në rast se do të shohim ndryshimet mujore të çmimeve, pra nga maji, në qershor të këtij viti, ashtu si gjatë muajit të kaluar vëmë re se çmimet e “lëndëve djegëse dhe energjisë” rezultojnë 0.4% më të lira. Gjatë muajit qershor, çmimet e karburanteve kanë prekur nivele rekord maksimale, me bordin e transparencës që caktoi në një periudhë kohore një çmim rekord prej 265 lekësh për litër për naftën. Pavarësisht se në këtë kategori përfshihet edhe energjia elektrike, rritja e ndjeshme e çmimeve të hidrokarbureve dhe mosreflektimi i kësaj rritje në normën e inflacionit ngre disa pikëpyetje në lidhje me inflacionin e përgjithshëm gjatë qershorit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments