Metodologjia e “EUROSTAT” për matjen e ndryshimit të çmimeve të konsumit, tregon se gjatë muajit janar 2022, inflacioni në vendin tonë regjistrohet në 3.8%. Nga ana tjetër sipas metodologjisë së Institutit të Statistikave, kjo normë fiksohej në 3.7%. Krahasuar me muajin dhjetor, ky tregues ka mbetur i pandryshuar sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, por edhe sipas Instat. Shifrat sinjalizojnë se kjo normë e matur sipas Eurostat, e vendos Shqipërinë ne vend të pestë nga fundi, mes 27 vendeve në total. Nga ana tjetër, mesatarja e rritjes së çmimeve në Bashkimin Europian, për muajin janar të vitit 2022, fiksohet në 5.6%, nga 5.3% që ishte në muajin dhjetor. Në vend të parë, me rritjen më të lartë, gjejmë të pozicionuar Lituaninë dhe Estoninë, ndërsa në fund është pozicionuar Zvicra.
Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Janar 2022
Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,2% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5,7%, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3,1% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3%, “Veshje dhe këpucë” me 0,6%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,3% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,6%, pasuar nga grupi “Shëndeti” me 0,4%.
Në muajin Janar 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,5%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,9%, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,4% secili, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,2%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,3%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments