Ekonomi

Inflacioni, “lokomotiva” e tregtisë së jashtme/ Eksportet rriten me 50.5%, importet me 31.5% në shkurt, por, efekt i rritjes së çmimeve

0

Muaji shkurt konfirmon ecurinë e mirë të tregtisë së jashtme, të paktën në terma monetarë, pasi shifrat sinjalizojnë se kjo rritje në një pjesë të madhe ka ardhur si pasojë e inflacionit. Kështu, shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë shkurtit eksportet e mallrave arritën vlerën 37 mld lekë, duke u rritur me 50.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 6.5%, në krahasim me Janarin e këtij viti. Nga ana tjetër importet e mallrave arritën vlerën 69 mld lekë, duke u rritur me 31.5%, në krahasim me një vit më pare dhe me 24.9%, në terma mujorë. Defiçiti tregtar i shkurtit fiksohet në 31 mld lekë, duke u rritur me 14.3%, krahasuar me Shkurt 2021 dhe me 57%, në krahasim me Janar 2022. Rritja e ndjeshme e defiçitit tregtar, si në terma mujorë ashtu edhe në terma vjetorë përforcon edhe më shumë faktin se është rritja e çmimeve “lokomotiva” e tregtisë së jashtme, por edhe se rritja e çmimeve të importit është më e madhe se ajo e produkteve “made in Albania”.

Sa i përket dy muajve të parë të vitit, shifrat tregojnë se, eksportet e mallrave arritën vlerën 72 mld lekë, duke u rritur me 49%, ndërkohë importet arritën vlerën e 124 mld lekëve, duke u rritur me 26.7%, në terma vjetorë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 51 mld lekë, duke u rritur me 4.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Impakti i inflacionit në “boom”-in e tregtisë së jashtme vihet re edhe në kontributin e grupeve kryesore në rritjen e shifrave gjatë shkurtit. Sa i përket eksportit, kontributin më të madh e kanë dhënë grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 20.2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11.5 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë”, me 9.2 pikë përqindje. Në drejtim të importeve, në rritjen prej 31.5 %, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 11.4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6.9 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 4.5 pikë përqindje. Pra, kontributin më të madh, si në eksport ashtu edhe në import e kanë dhënë grupet që kanë pësuar një rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë muajve të fundit, si hidrokarburet, energjia elektrike, materialet e ndërtimit, çka do të thotë se rritja në vlerë e tyre është ndjeshëm më e lartë se ajo në volum. Nga një këqyrje e shifrave, vihet re se gjatë shkurtit, në volum, eksporti dhe importi janë rritur me rreth 11%, ndërsa në vlerë me rreth 37%, pra me një hap mbi 3 herë më të shpejtë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Me çfarë “punojnë” makinat në Shqipëri? 3 në 4, me naftë, vetëm 8.8% me gaz dhe 0.33% elektrike

Postimi mëparshëm

Rritet prodhimi, ulet punësimi/ Industria rritet në çdo tregues, përveç punësimit. Ndërtimi rritet në prodhim, shitje, punë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.