Inflacioni është afruar shumë pranë nivelit historik gjatë muajit korrik të këtij viti tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Sipas shifrave, kjo normë ka prekur nivelin e 7.5%, ndërkohë që në muajin qershor regjistrohej në 7.4%, duke pësuar një rritje kështu prej 0.1 pikë përqindje. Referuar të dhënave historike, ky është niveli më i lartë që nga muaji shkurt i vitit 2002, kur fiksohej pranë 7.6%. Gjatë korrikut të një viti më parë inflacioni regjistrohej në 2.2%. Nëse do të flisnim për ndryshimin mujor, shifrat zyrtare sinjalizojnë se krahasuar me muajin qershor, çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur me 0.2%.
Sa i përket ndikimit të grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit, rritja prej 7.5% është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkolike” me 4.59 pikë përqindje. Sipas shifrave, grupi i dytë me kontributin më të lartë është “Transporti” me 1.14 pikë përqindje. Po ashtu, edhe çmimet e e grupeve “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “mobilje, pajisje, shtëpie” regjistrojnë një ndikim të konsiderueshëm në normën e inflacionit për muajin korrik, ndërkohë që asnjë prej grupeve nuk ka dhënë kontribut negativ.
“Scan Intel” ka analizuar ecurinë e çmimeve për grupet kryesore ku vihet re se rritjen më të lartë e regjistron grupi “Transporti”, me çmimet 19.7% më shtrenjtë se korriku i vitit 2021. Ky grup pasohet nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një rritje prej 13,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,0% dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,0%. Nga ana tjetër, të dhënat mbi ndryshimet mujore të çmimeve të konsumit tregojnë se grupi “Transporti” regjistron rënie me 3.7%, ndërkohë që rritjen me të lartë e ka pësuar grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.7%.
Nëse do të flisnim për nëngrupet, vëmë re se brenda kategorisë së “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, ushqimet janë shtrentjuar me 13.9% në terma vjetorë. “Vajrat” kanë pësuar rritjen më të lartë, prej 30.6%, ndërkohë që buka dhe drithërat rezulton të jenë 20% më të shtrenjta se korrikun e vitit të kaluar. Po brenda grupit të ushqimeve, “peshku” është shtrenjtuar me 11.4%, “zarzavatet” me 9.5%, ndërsa “mishi” është rritur me 9.1%. Referuar shifrave “vajrat” dhe “buka me drithërat” asnjëherë ma parë nuk kanë regjistruar nivele të tilla të larta inflacioni. Nëse fokusin e analizës do ta largonim nga ushqimet, nëngrupi i dytë më rritjen më të lartë pas vajrave e ka pësuar “shërbimet ndaj mjeteve personale të transportit” me 25.5%, krahasuar me një vit më parë. Sipas shifrave, çmimet e nëngrupit “blerje mjetesh transporti” regjistrohen 2.9% më të lira se përgjatë korrikut të vitit të kaluar. Ndërkohë, me rënie paraqiten edhe nëngrupe si “makinë larje dhe tharje rrobash” si dhe “pajisje audio-vizuale, fotografike, dhe riparimi i tyre”.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments