Ekonomi

Inflacioni “fluturon” në 5.7%/ Në mars, norma më e lartë që prej vitit 2002, falë ushqimeve dhe transportit

0

Norma e inflacionit gjatë muajit mars është ngjitur pranë 5.7% tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave në lidhje me indeksin e çmimeve të konsumit. Kjo normë rezulton të jetë më e larta që prej tetorit të vitit 2002, kur inflacioni fiksohej pranë 5.8%. Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se në terma mujorë, pra krahasuar me shkurtin e këtij viti, çmimet e konsumit në vendin tonë kanë qenë 2.4% më të shtrenjta. Sa i përket kontributit të grupeve kryesore në “kapërcimin” e inflacionit pranë 5.7%, vihet re se, impaktin kryesor, me 3.3 pikë e kanë dhënë ushqimet dhe pijet joalkoolike, transporti me rreth 1 pikë dhe grupi “ujë,qira, lëndë djegëse, energji” me 0.44 pikë.

Nga ana tjetër, sa i përket ndryshimeve vjetore të çmimeve të konsumit, shifrat tregojnë se transporti ka regjistruar rritjen më të madhe, me një shtrenjtim të çmimeve në harkun e 12 muajve, prej rreth 20%. Më pas ndjekin “ushqimet dhe pijet joalkoolike” me rreth 9.3% rritje vjetore të çmimeve, “pijet alkoolike dhe duhani” me 4.9% dhe “hotele, kafene, ristorante” me rreth 4.5% shtrenjtim. Në sy bie fakti se në grupin ku përfshihen karburantet në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra ai “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, rritja vjetore rezulton në vetëm 2.3%, ndërsa ajo mujore, pra krahasuar me muajin shkurt, në vetëm 0.6%.

Brenda zërit të ushqimeve, rritjen më të madhe të çmimeve gjatë marsit e regjistrojnë “vajrat dhe yndyrnat”, 22.4% më të shtrenjta se marsi i vitit të kaluar, “bukë dhe drithëra”, 15.8% më të shtrenjta, zarzavatet, 10.5%, produktet e bulmetit dhe vezët, 10.3%, mishi me 7.1%, si dhe ëmbëlsirat dhe sheqernat me një rritje të cmimeve prej rreth 10.2%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa shtete e kanë legalizuar kanabisin mjekësor? 64! 29 prej të cilave në Europë, vetëm Maqedonia e veriut nga rajoni

Postimi mëparshëm

Shqiptarët dhe shëndeti online/ 48% e tyre marrin informacion në internet, renditemi ndër të fundit në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.