Shifrat e tregtisë së jashtme vijojnë të regjistrojnë rritje në vlerë edhe për muajin korrik të këtij viti. Kështu, të dhënat e Institutit të Statistikave bëjnë me dije se eksportet gjatë korrikut fiksohen pranë 39 miliardë lekëve, një rritje me 23% krahasuar me korrikun e një viti më parë. Sa i përket importit të mallrave, shifrat tregojnë se arritën vlerën e 82 mld lekëve, duke u rritur me 14,1%, në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë. Në total, tregtia e jashtme në korrik të këtij viti, pra import plus eksport vlen gjithsej 121 miliardë lekë.
Pavarësisht se nga shifrat importet dhe eksportet rezultojnë me rritje, në volum vihet re një tkurrje e ndjeshme, kjo për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se në peshë eksportet kanë rënë me 19.4%, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Nga ana tjetër, importet kanë regjistruar rënie deri në 20.5%. Referuar edhe paraqitjes grafike shohim se në peshë, eksportet gjatë korrikut të këtij viti, në terma sezonalë, regjistrojnë nivelin më të ulët që prej korrikut të vitit 2015-të. Ndërkohë, nëse do të flisnim për importet, muaji korrik regjistron nivelin më të ulët që nga korriku i vitit 2016-të
Referuar të dhënave sa i përket kontributit gjatë muajit korrik të vitit 2022 në rritjen e eksporteve prej 23% kanë ndikuar pozitivisht grupet “Tekstile dhe këpucë” me 6,6 pikë përqindje ,“Materiale ndërtimi dhe metale” me 5,2 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 5,0 pikë përqindje. Sa i përket importeve ndërkohë, kontributin më të madh e kanë dhënë grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 8,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2,6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 2,5 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1,2 pikë përqindje.
Në muajin Korrik 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me korrik të vitit të kaluar janë Italia me 35,2%, Greqia me 4,8% dhe Austria me 248,2%. Ndërkaq, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Kosova me 12,1%, Spanja me 20,8% dhe Gjermania me 2,2%. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për importet, Shqipëria ka pasur rritje më të madhe me Italinë me 7.2%, Turqinë me 5.2% dhe Kinën me 12,4%. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania me 3,9% , Kosova me 3,0% dhe SHBA me 71,7%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments