Muaji shtator i vitit 2021 duket se paraqet të dhëna jo pak interesante sa i takon Tregtisë së Jashtme të mallrave. Gjatë këtij muaji, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” dalin në pah fakte të reja rreth importit të artikujve të idustrisë tekstile. Në përpunim është marrë vlera e importeve dhe eksporteve të artikujve tekstile vetëm për muajin shtator që nga viti 2005 deri në vitin 2021. Shtatori i vitit 2021, regjistron rekord historik të importit të artikujve të industrisë tekstile, që nga viti 2005. Importi i artikujve të industrisë tekstile, i cili përfshin: artikuj të veshjes dhe rroba plotësuese të thurura, artikuj të veshjes dhe plotësues të veshjes jo të thurura, artikuj të tjerë tekstile si dhe veshjet e përdorura, veshjet e këmbëve dhe veshjet e kokës. Këto produkte jo vetëm që kanë prekur rekord historik të importeve, por gjithashtu kanë një rimëkëmbje të dukshme nga pandemia, e cila goditi rëndë sektorin. Vlera e importeve të këtyre artikujve, për muajin shtator të vitit 2021, arrin në rreth 5 mld lekë ose e thënë në euro deri në 41.2 mln euro.
Nga ana tjetër, po të marrim në analizë eksportet e artikujve të industrisë teksile, duke marrë në studim vlerën e eksporteve për muajin shtator që nga viti 2005, shohim dukshëm se edhe eksportet kanë mundur të tejkalojnë krizën e shkaktuar nga pandemia. Vlera nuk e ka mundur të kapë rekord historik sikurse importet, megjithatë është shumë pranë nivelit historik. Vlera e eksporteve të shtatorit të këtij viti është vlera e katërt më e lartë që prej vitit 2005. Ajo regjistrohet në 9,8 mld lekë, ose e thënë në euro arrin në 80.6 mln euro. Para këtij viti qëndrojnë në renditje me vlerën më të madhe të muajit shtator, viti 2017, 2018 dhe 2019. Por, rekordi i importeve të këtyre zërave gjatë shtatorit, sinjalizon se, me shumë gjasa, vlerat rekord do të reflektohen edhe në shifrën e eksporteve gjatë muajve në vijim.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments