Ekonomi

Habit ekonomia shqiptare! BSH: Konsumatori dhe bizneset, më optimistë për ekonominë gjatë majit

0

Ekonomia shqiptare duket se ka surprizuar gjatë majit. Në vrojtimin më të fundit të biznesit dhe atë konsumator (VBBK), Banka e Shqipërisë flet për një kthesë, pasi Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) është rritur gjatë majit për të parën herë këtë vit. Rritja fikoshet në 4.6 pikë përqindje, dhe është nxitur nga përmirësimi i besimit në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, por veçanërisht nga sektori i shërbimeve dhe ai i tregtisë. Të gjithë treguesit janë regjistruar me rritje gjatë muajit maj, përveç atij që mat besimin në sektorin e ndërtimit. Çuditërisht, ky sektor, në thuajse çdo indicator tjetër regjistrohet në rritje të ndjeshme.

Por, surpriza më e madhe duket se vjen nga Treguesi i Besimit Konsumator. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, besimi konsumator gjatë muajit të kaluar është rritur me 2 pikë përqindje. “Kjo rritje reflektoi përmirësimin e të gjithë komponentëve përbërës të TBK-së: vlerësimin lidhur me blerjet në shuma të mëdha, pritjet për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend”-thekson mes reshtave institucioni në këtë vrojtim. Ky përmirësim i perceptimit të përgjithshëm të konsumatorit mbi situatën e tyre dhe situatën e pëgjithshme të vendit vjen pavarësisht faktit se, gjatë muajve të fundit vendi është përfshirë në një krizë çmimesh, kryesisht rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të çmimeve të hidrokarbureve, dhe rrjedhimisht në një krizë konsumi. Madje, norma e inflacionit ka prekur një rekord prej më shumë se dy dekadash, duke u ngjitur në 6.2%.

Ndër treguesit e tjerë ndërkohë, rritjen më të madhe e regjistron Treguesi i Besimit në Shërbime, në rritje me 7.2 pikë përqindje në muajin maj, krahasuar me muajin e kaluar. “Rritja e tij u përcaktua nga vlerësimet më optimiste të bizneseve, si për ecurinë e aktivitetit të tyre, ashtu edhe për kërkesën. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit dhe të çmimeve të tyre në të ardhmen janë në rritje këtë muaj”-nënvizon Banka e Shqipërisë.

Rritje të ndjeshme, me 6.8 pikë përqindje regjistron edhe Treguesi i Besimit në Tregti, i ndikuar nga vlerësimet optimiste të bizneseve të sektorit për ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe pritjet optimiste për punësimin në muajt e ardhshëm. Rritje disi më të lehtë ndërkohë, ka regjistruar Treguesi i Besimit në Industri, me 4.3 pikë përqindje, kryesisht si rrjedhojë e vlerësimeve më optimiste të biznesit për prodhimin industrial. Edhe vlerësimet e operatorëve të sektorit për kërkesën e brendshme dhe atë të jashtme rezultojnë në rritje për muajin maj.

Ndërkohë, Treguesi i Besimit në Ndërtim, i vetmi me rënie, është “tkurrur” me 0.6 pikë përqindje gjatë muajit të kaluar, duke marrë shtysë nga vlerësimet më pesimiste për aktivitetin ndërtues. Pritjet për çmimet në sektor vlerësohen në rënie, ndërkohë që për kontratat porositëse aktorët e këtij tregu shprehen optimist, duke pritur rritje, ashtu si edhe në punësim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Të ardhurat e shqiptarëve, të paqëndrueshme/ Banka Qendrore e Austrisë: Mbi 60% raportojnë “goditje”, vendi i parë në rajon

Postimi mëparshëm

100 futbollistët më të kushtueshëm vlejnë sa gjysma e ekonomisë shqiptare/ Renditja atipike, përfaqësojnë 53% të prodhimit ekonomik vjetor, krahasimi me vendet e tjera

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.