Bujqësia është një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Por, si është i përfaqësuar ky sektor nga pikëpamja gjinore? Shifrat e përpunuara nga “Scan Intel” bëjnë me dije se gjatë vitit 2020 në këtë sektor janë punësuar 41.4% e grave dhe 31.8% e burrave. Edhe pse përqindja e grave të punësuara në sektorin e bujqësisë tregon për një rënie krahasuar me vitin 2019-të me 0.2 pikë përqindje, panorama tregon dukshëm se gratë e punësuara në bujqësi kanë peshë më të madhe se burrat. Nëse do ta analizonim punësimin e grave në sektorin bujqësor sipas vlerës absolute, nga 553,677 gra të punësuara gjithsej në vendin tonë, 229,222 prej tyre punojnë pikërisht në kwtw sektor. Nga ana tjetër, nëse po të njejtin tregues e analizojmë për burrat shohim se nga 689,666 burra gjithsej të punësuar gjatë vitit 2020, 219,313 prej tyre janë të punësuar në këtë sektor.
Për të mbështetur shifrat e mësipërme , referuar “Regjistrit të Ndërmarrjeve”, “Scan Intel” ka përpunuar të dhënat e ndërmarrjeve aktive në aktivitetin e bujqësisë sipas gjinisë së pronarit. Shifrat e vitit 2020 tregojnë se nga 49,053 fermerë të regjistruar, 43,536 ose 88.8% janë burra dhe 5,517 ose 12.7% janë gra. Sa i përket ndërmarrjeve në fushën e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, nga 1,358 ndërmarrje aktive gjithsej, 1,118 ose 82.3% prej tyre kanë pronarë meshkuj, ndërsa 240 ose 17.7% kanë pronare femra. Pra, nga rezultati i këtyre të dhënave të kryqëzuara me rezultatet e paraqitura më sipër kuptojmë se burrat janë pronarë e ndërsa gratë janë “të punësuarat e tyre” sa i përket sektorit bujqësor dhe blegtoral.
“Scan Intel” për ta pasqyruar sa më saktë pjesëmarrjen dhe aktivitetitn e grave në sektorin e bujqësisë ka analizuar gjithashtu diplomimet sipas fushave dhe sipas gjinisë për vitin 2020. Shifrat sinjalizojnë se 2.3% e grave, përgjatë vitit 2020 janë diplomuar në fushën “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari”. Nga ana tjetër, po të njejtat të dhëna tregojnë se janë 5.2% e burrave të diplomuar në këtë fushë. Përsëri shohim se këto të dhëna mbështesin rezultatet e mësipërme.
Kuptojmë se gratë në Shqipëri janë aktore të rëndësishme të prodhimit bujqësor, dhe përbëjnë më shumë se gjysmën e forcave të punës në këtë sektor. Megjithatë, bujqësia ende ka probleme të thella. Gratë hasen me informalitetin, konkurecën e pandershme, punën e papaguar, aksesin e ulët në pronësi si dhe vështirësi në përfitimin e pensioneve. Një pjesë e mirë e popullsisë së vendit tonë është e përqëndruar në zonat rurale dhe aktiviteti i tyre kryesisht është bujqësor ose blegtoral. Po të flasim për pjesëmarrjen në forcat e punës, sipas anketës, gratë kanë më pak gjasa të marrim pjesë në treg. Arsyet që raporti jep për këtë inaktivitet të grave lidhen kryesisht me faktin se janë nxënëse apo studente, mund të jenë në trajnime të mëtejshme, duke përmbushur detyrat shtëpiake, ose lidhet me mungesën e arsimimit të tyre në zonat rurale. Pra në këto kushte, për këtë pjesë të popullsisë zgjidhja është sektori bujqësor dhe gratë janë të detyruara të punojnë për të siguruar të ardhurat e nevojshme. Por, cili është sektori i dytë pas bujqësisë i cili zë peshën më të madhe në punësimin e grave në vendin tonë? Shifrat e raportit “Burra dhe Gra” nga Instat, tregojnë se 21.6% e grave janë të punësuara në sektorin e tregtisë, transportit, hoteleri si dhe shërbime të biznesit apo ato administrative.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments