Ekonomi

Fillimviti më i vështirë prej 1998-ës/ Rritja e çmimeve në 4 muajt e parë, më e larta në 24 vite. Transporti zëvendëson ushqimet

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar vlerat historike të indeksit të çmimeve të konsumit sipas publikimeve zyrtare të INSTAT për periudhën Prill 1996-Prill 2022, për të kuptuar se në çfarë nivelesh është rritja e çmimeve në vendin tonë 4 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 4 muajt e parë të viteve të mëparshme.

Sipas analizës ndër vite, vihet re se ky fillimviti duket të jetë më i vështiri në më shumë se dy dekada, të paktën sa i përket çmimeve të konsumit. Më konkretisht, ky ndryshim në nivelin e çmimeve të konsumit, nuk është parë në vendin tonë që prej vitit 1998. Nëse ndjekim të njëjtën linjë krahasimore dhe marrim si periudhë reference muajt Prill-Dhjetor 1996-2022, rritja e çmimeve këtë vit rezulton pranë vlerës 5.8%. Në fillimvitin e 1998-ës, çmimet rriteshin me një hap prej 8.3%.

Nëse do t`i referohemi indeksit të çmimeve të konsumit sipas grupeve kryesore, për periudhën Dhjetor 2007- Prill 2022, pra që prej kohës kur të dhënat sipas grupeve dhe nëngrupeve janë publike, bie dukshëm në sy një vlerë në rritje për kategoritë: Transport, Ushqime dhe pije joalkolike, Pije alkolike dhe duhan. Madje, për herë të parë që prej vitit 2011, transporti rezulton në një rritje më të madhe të çmimeve në 4 muajt e parë të vitit se sa kategoria e ushqimeve.

Nëse analizojmë situatën historike të 15 viteve të fundit referuar nëngrupeve kryesore, përkatësisht nga viti 2007-2022 sipas variablave dhe muajve, vihet re një shtrenjtim në disa nga nënkategoritë e produkteve. Kështu, nga analiza e të dhënave rezulton se, që prej vitit 2007, kur të dhënat sipas grupeve janë publike, “buka dhe drithërat” këtë fillimvit janë shtrenjtuar me 11%, si asnjëherë më parë, ndërkohë që mesatarja historike e 4 muajve të parë të vitit ndër vitet e kaluara fiksohet pranë vetëm 1%; “qumësht, djathë, vezë” këtë 4 mujor të parë të vitit janë shtrenjtuar me 14%, si asnjëherë më parë, ndërkohë që mesatarja historike fiksohet në 0%, çka do të thotë se, mesatarisht që prej vitit 2007, këto produkte nuk kanë pësuar luhatje të çmimeve deri në muajin prill; “vajrat dhe yndyrnat” janë shtrenjtuar me 17%, gjithashtu rekord, kundrejt një mesatare historike në vetëm 1% rritje për 4 muajt e parë të vitit; “kafe, çaj, kakao” 5% më të shtrenjta, nga 1% që është mesatarja historike 2007-2021; “transporti” 14% më i shtrenjtë, nga 1% që është mesatarja historike; “servisi i mjeteve motorike” 17% më i shtrenjtë, nga 1% që është mesatarja.

Ndërkohë që rritja e çmimeve është efekt i një krize globale, amortizimi i kësaj krize në vendin tonë nëpërmjet politikave ka qenë thuajse minimal.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pasojat fatale nga aksidentet rrugore, Shqipëria e treta në Europë me normën më të lartë në 2020-ën. Regjistron 63.96 fatalitete për 1 milion banorë

Postimi mëparshëm

Shqipëria vazhdon të “tkurret”/ Pandemia, “presion” lindjeve, në Berat, Korçë, Dibër i “frenoi” deri në 22%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.