Tregtia e jashtme vazhdon rimëkëmbjen pas krizës së shkaktuar nga pandemia. Kështu, shifrat zyrtare të majit tregojnë se, eksportet u rritën me 52.7% në terma vjetorë, për të prekur shifrën e 33 mld Lekëve. Krahasuar me prillin 2021 ndërkohë, rritja regjistrohet në 14.5%. Edhe për importet, shifrat duken pozitive, në rritje si në terma vjetorë ashtu edhe në terma mujorë. Importet regjistrohen në rritje me 38.4% krahasuar me majin 2020, dhe në rritje prej 1.6% krahasuar me muajin paraardhës, duke prekur shifrën e 62 mld lekëve. Defiçiti tregtar gjatë majit ka arritur në 29 mld lekë, në rritje vjetore prej 25.1%, dhe në ulje me 15% krahasuar me muajin paraardhës.
Sa i përket 5 muajve të parë të këtij viti, eksportet regjistrohen në 142 mld lekë, në rritje me 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që importet fiksohen në 287 mld lekë, në rritje me 30.9%. Në të dyja rastet bëhet fjalë për shifrën më të latë gjatë 4 viteve të fundit. Madje, në rastin e eksporteve, edhe më e lartë se 5-mujori i parë i 2018-ës. Këtë vit, Shqipëria regjistron rekordin më të lartë historik sa i përket eksportvee në total, prej 310 miliardë lekësh gjatë të gjithë vitit. Me jëtë ecuri, ky vit duket se do ta tejkalojë rekordin e 2018-ës.
Ndërkohë, sa i përket kontributit të grupeve kryesore në rritjen e eksporteve, lëndët djegëse minerale dhe materialet e ndërtimit zënë dy vendet e para, me rreth 18 pikë përqindje. I vetmi zë me kontribut negativ është ai i ushqimeve, pijeve dhe duhanit, me një konribut prej -0.2 pikë përqindje. Nga krahu tjetër, te importet, kontribut pozitiv në rritjen vjetore prej rreth 38% ka dhënë grupi i makinerive, i ndjekur nga materialet e ndërtimit.
Gjatë këtij pesë mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (32,5%), Kosova (72,2%) dhe Spanja (30,2%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Mbretëria e Bashkuar (29,4%) dhe Ukraina(35,5%). Pesëmujori i importeve sipas vendeve partnere ndërkohë, evidenton Italinë, Turqinë dhe Greqinë si vendet me rritjen më të madhe, dhe Zvicrën me Ukrainën si vendet partnere me rënien më të madhe.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments