Ekonomi

Ekonomia shqiptare u rrit me 8.54% në 2021-shin/ T4 sinjalizon “Ndërtimin” dhe “Pasuritë e Paluajtshme” si “lokomotivën” e ekonomisë

0

Ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me një normë prej 8.54% gjatë vitit të kaluar, thotë Instituti i Statistikave, duke regjistruar kështu rritjën më të madhe në më shumë se dy dekada. Vetëm në vitin 1999 rritja ekonomike ka qenë më e madhe, pranë rreth 12%. Këto vlerësime janë vetëm paraprake dhe bazohen në ecurinë e ekonomisë gjatë 4 tremujorëve të vitit të kaluar. Ndërkohë, në një tjetër publikim, Instituti i Statistikave ka dhënë vlerësimin gjysëm-final sa i përket rritjes ekonomike gjatë vitit 2020, atij të pandemisë, nga ku rezulton se Prodhimi i Brendshëm Bruto ka rënë me 3.48% në terma vjetorë. Në 2.09% ndërkohë vlerësohet nga Instituti i Statistikave rritja ekonomike përgjatë vitit 2019, atij përpara pandemisë. Shifrat tregojnë se viti 2021 ka “fshirë” vitin 2020, duke rikthyer rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sa i përket tremujorit të 4-tët të vitit të kaluar ndërkohë, të dhënat e Institutit të Statistikave vijnë të detajuara dhe flasin për një rritje prej 5.52% krahasuar me tremujorin e 4-tët të vitit 2020. Kontribut pozitiv në këtë rritje vlerësohet të kenë dhënë degët: “Ndërtimi”, me 1.82 pikë përqindje, ”Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me 1.03 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme”, me 0.73 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me 0.27 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0.26 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni”, me 0.19 pikë përqindje, ‘Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi”, me 0.15 pikë përqindje, si dhe “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit”, me 0.01 pikë përqindje. Negativisht kontribuan aktivitetet: “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, me -0.29 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” me -0.02 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet ndërkohë kontribuan pozitivisht me 1.36 pikë përqindje.

Ndërtimi me rreth 16.1% si dhe “Aktivitetet e Pasurive të Paluajtshme” me rreth 12%, janë degët e ekonomisë që kanë regjistruar edhe rritjen më të madhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës. Këto dy aktivitete rezultojnë gjithashtu si ato me rritjen më të madhe tremujore, pra krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh edhe ecurinë e këtyre degëve të ekonomisë në tre tremujorët e tjerë të vitit, duket se janë pikërisht ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, “lokomotiva” e ekonomisë gjatë vitit të kaluar, dhe kontribuesit kryesor në rritjen e ekonomisë me 8.54%. Bie në sy fakti që edhe taksat neto janë rritur me rreth 11.6% në terma vjetorë, gjë që është reflektuar edhe në shifrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me të ardhurat e qeverisë që e kanë tejkaluar planin vjetor gjatë vitit të kaluar. “Industria nxjerrëse” dhe “Aktivitetet shkencore” janë të vetmet degë të ekonomisë me rënie gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Tkurren” depozitat e shqiptarëve/ Bien me rreth 45 mln euro në shkurt. Në lekë, rënia më e madhe që prej 2019-ës

Postimi mëparshëm

Tiranë, shtohen borxhet ndaj UKT/ Familjarët borxhlinj pakësohen, por rriten institucionet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.