Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit tonë gjatë 2020-ës, vitit të pandemisë, japin një panoramë të qartë edhe të strukturës së ekonomisë, sipas metodës së shpenzimeve. Kështu, të dhënat tregojnë se, konsumi i familjeve është padiskutim “lokomotiva” e ekonomisë sonë, me një kontribut në Prodhimin e Brendshëm Bruto prej gati 80%, dhe në rritje të lehtë gjatë vitit të pandemisë, krahasuar me vitin pararendës, paçka se në total, shpenzimet e familjeve shqiptare kanë rënë me rreth 223 milionë euro. Mesatarja globale e peshës së konsumit të familjeve në ekonomi fiksohet pranë rreth 63% për vitin 2020. Me konsumin e familjeve që kontribuon me rreth 80% në ekonominë e vendit, Shqipëria është jo vetëm ndër vendet e para në botë në këtë drejtim, por edhe e 3-ta në Europë pas Moldavisë dhe Malit të Zi, gjithashtu pranë rreth 80%. Disa prej ekonomive më të zhvilluara të botës, të paktën në nivel mirëqenie për frymë, këtë normë e kanë nën 50%, dhe 5 shtetet me peshën më të ulët pranë rreth 23%-33% janë: Singapori, Luksemburgu, Katari, Irlanda dhe Brunei. Varësia e lartë e ekonomisë shqiptare ndaj konsumit të familjeve tregon ekspozimin ndaj krizave të konsumit. Situata ku ndodhet ekonomia globale sot, dhe ajo shqiptare sinjalizon rënie të konsumit si pasojë e rritjes së çmimeve, çka do të ketë padiskutim impakt në rritjen ekonomike të vendit.
Vendin e dytë në strukturën e PBB-së sipas shpenzimeve e mban Formimi Bruto i Kapitalit Fiks, me një peshë në 22.75%. Ky indikator në terma më të thjeshtuar i referohet investimeve të sektorit privat, pra diferencës mes aseteve të reja që kanë për qëllim rritjen e kapacitetit prodhues dhe aseteve të shitura. Ashtu si me rastin e konsumit të familjeve, edhe ky indikator ka rënë gjatë 2020-ës në terma absolutë, me rreth 3.5 mld lekë, por nga ana tjetër ka rritur kontributin në prodhimin ekonomik të vendit, duke u ngjitur nga 22.31% në 22.75%.
Në vend të tretë ndërkohë, sa i përket kontributit në Prodhimin e Brendshëm Bruto renditet konsumi i administratës publike, me 11.87%. Ajo që bie në sy nga shifrat është kontrbuti negativ që japin eksportet. Diferenca mes eksporteve dhe importeve në vendin tonë në një vit i heq ekonomisë rreth 14.54%. Gjatë 2020-ës, ky kontribut negativ është thelluar edhe më tej, duke i`u afruar shifrave të vitit 2017, kur eksportet neto kishin një kontribut negativ prej -15.05%. Që prej vitit 2012, ky indikator kishte regjistruar një rënie graduale dhe progresive, thuaje çdo vit, dhe pandemia duket se na ka rikthyer disa vite pas.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments