Turizmi duket se do të jetë një prej shtyllave kryesore në të cilat do të mbështet ekonomia shqiptare këtë vit, sidomos me krizën e çmimeve që ka prekur thuajse çdo sektor dhe segment të ekonomisë. Të dhënat më të fundit nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e turistëve në vendin tonë gjatë tre mujave të parë të vitit kanë qenë më të lartat të regjistruara ndonjëherë gjatë kësaj periudhe kohore, pra jashtë atij që njihet si sezoni turistik, duke qenë se bëhet fjalë për periudhën janar-mars. Shifrat flasin kështu për 408 milionë euro shpenzime të të huajve në vendin tonë në tremujorin e parë të vitit. Që prej vitit 2008, kur të dhënat janë publike, kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
“Scan Intel” ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare, nga ku rezulton se, në tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet e turistëve në vendin tonë janë 65.1% më të larta se mesatarja historike e tremujorëve të parë të të gjithë viteve paraardhëse. Bëhet fjalë për 408 milionë euro këtë vit, kundrejt 247 milionë eurove që fiksohet mesatarja historike për periudhën 2008-2021 sa i përket vetëm tremujorëve të parë të vitit.
Por, të dhënat tregojnë edhe një anë tjetër të medaljes. Shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kanë prekur një rekord të ri historik. Bëhet fjalë për 323 milionë euro shpenzime, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit. Mesatarja historike e viteve të kaluara flet për vetëm 217 milionë euro shpenzime të shqiptarëve jashtë vendit në tre muajt e parë të vitit. Kjo do të thotë se këtë vit, shqiptarët jashtë kanë shpenzuar rreth 49% më shumë se ajo që kanë shpenzuar mesatarisht gjatë viteve të kaluara.
Por, pavarësisht kësaj, rritja më e madhe e shpenzimeve të të huajve në Shqipëri, ka bërë që sufiçiti mes shpenzimeve për udhëtime nga të huajt në Shqipëri dhe atyre të shqiptarëve jashtë vendit të jetë i treti më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Bëhet fjalë për 85 milionë euro sufiçit këtë vit, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër fiksohej pranë 101 milionë eurove dhe rreth 93 milionë euro në vitin 2020.
Këto të dhëna, por edhe të dhëna të tjera të publikuara më herët gjatë vitit, sinjalizojnë të njëjtën gjë; të gjithë sytë e ekonomisë janë drejtuar nga turizmi këtë vit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments